(03.04.2009 RV)Prift romak, bir i një
familjeje barinjsh, u zgjodh një zëri në fronin e papnisë nga i gjithë kleri i Qytetit
të Amshuar. Ishte papa i gjashtë që e drejtonte Kishën, pas Shën Pjetrit. E kreu misionin
e tij në kohën e sundimit të perandorëve Trajani e Adriani. Trajani, aty nga fundi
i mbretërimit të tij, e pa të arsyeshme ta zbutë persekutimin kundër të krishterëve,
edhe pse shpesh herë ata që besonin në Krishtin paditeshin më shumë për të zgjidhur
ngatërresa politike e familjare, sesa për shkak të fesë. Kjo atmosferë tolerance
fetare vijoi edhe nën sundimin e perandorit Adrian, i cili i shkroi prokonsullit të
Azisë: “Në se ndokush i padit të krishterët për sjellje të kundërligjshme dhe e provon
këtë padi, atëherë fajtori duhet dënuar sipas ligjit. Por në se padija përdoret si
pretekst për shpifje, atëherë duhet dënuar paditësi”. Në një realitet të tillë
lindi, u rrit e kreu, deri në vitin 115, shërbimin e tij papnor Shën Siksti I. Kujtohet
si Papa që vendosi shumë norma të reja të kultit. Ndërmjet tyre, i ndaloi laikët të
prekin kelkun shenjt e patenën, apo pjatën e praruar, ku vendoset Hostia e shuguruar,
duke ia lënë këtë privilegj vetëm njerëzve të kultit.Është ai që renditi në liturgji
edhe të kënduarit tri herë rresht të “Sanctus’ gjatë kremtimit të Meshës. Është fjala
për brohoritjen ‘Shenjt, Shenjt, Shenjt është Zoti…”; si dhe shprehjen latine ‘Ite
Missa est’ – apo shqip ‘Mesha u krye, shkoni në paqe!’. Mendohet se Siksti përdori
për herë të parë edhe ujin në ritin eukaristik e ujin e bekuar.