2009-04-03 18:18:43

I qëndrojmë besnikë Ungjillit kur kujdesemi për të varfërit: kështu u tha Papa anëtarëve të Rrethit të Shën Pjetrit


(03.04.2009 RV)RealAudioMP3 Rrethi i Shën Pjetrit, i cili mbledh lëmoshë për veprimtarinë e Papës, u prit sot nga Benedikti XVI. Ati i Shenjtë i falenderoi anëtarët për ndihmën që u japin të varfërve, sidomos në Romë, në një periudhë të vështirë për ekonominë botërore. U kujtoi atyre fjalët e Papës Leoni i Madh, sipas të cilit Kryqi i Krishtit është “burim i të gjitha bekimeve” e “shkak i të gjitha hireve”:
“Nga Kryqi buron edhe gëzimi e paqja e zemrës, që na bën dëshmitarë të asaj shprese, për të cilën ka shumë nevojë në këtë kohë krize ekonomike të përgjithshme”.
Besnikëria ndaj Ungjillit, vazhdoi Papa, matet edhe me përpjekjet për të ndihmuar të afërmin, sidomos më të dobtit e të mënjanuarit. Bamirësia bëhet kështu një formë e privilegjuar e ungjillëzimit, në dritën e mësimit të Jezusit:
“Që shërbimi ynë të mos jetë vetëm filantropi, pavarësisht se e dobishme dhe e vlefshme, është e nevojshme ta ushqejmë me lutje të vazhdueshme e me besim në Zotin. Triditëshja e Pashkëve qoftë rasti i volitshëm për të përforcuar e pastruar fenë tonë; për të kundruar Kryqin , që është misteri i dashurisë pa fund, në të cilin duhet të marrim forcë që ta kthejmë jetën tonë në dhuratë për vëllezërit”.
Si çdo vit, anëtarët e Rrethit të Shën Pjetrit i dorëzuan Papës të ashtuquajturin “Obolo”, pra lëmoshët e mbledhura në famullitë e Romës për veprimtarinë bamirëse të Atit të Shenjtë. Rrethi i Shën Pjetrit, themeluar në vitin 1869, ka si moto treshen “Lutje, Aksion, Flijim”. Ndër nismat e tij bamirëse janë edhe mensat, që shpërndajnë 70 mijë vakte ushqimi në vit dhe strehimi gjatë natës për personat pa shtëpi.







All the contents on this site are copyrighted ©.