2009-04-03 18:18:27

Benedikti XVI ambasadorit të ri domenikan: në identitetin e krishterë, forca për të mundur varfërinë, korrupsionin e trafikun e drogës.


(03.04.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI priti sot në audiencë ambasadorin e ri të Republikës Domenikane pranë Selisë së Shenjtë, 58 vjeçarin, Viktor Manuel Grimaldi Çéspedes. Varfëria, trafiku i drogës dhe korrupsioni, i tha Ati i Shenjtë atij, mund të luftohen duke promovuar vlerat e krishtera, që për mëse 5 shekuj i kanë dhënë formë Republikës Domenikane.
Pikërisht mbi territorin në të cilin shtrihet sot vendi, para 500 vjetëve u kremtua Mesha e parë në kontinentin amerikan. Prej andej filloi ungjillëzimi i popullsisë, e cila me kalimin e viteve krijoi një pasuri të madhe kulturore të krishterë, që do të vihet pa dyshim në pah më 8 gushtin e ardhshëm, kur do të festohet 500 vjetori i formimit të kryeipeshkvisë së Santo Domingos.
Mbi këtë platformë vlerash shpirtërore e njerëzore, Benedikti XVI bazoi analizën dhe urimet e tij për Republikën Domenikane. Papa pati fjalë lavdëruese për ndryshimet politiko-shoqërore, që kanë çuar në mbrojtjen e dinjitetit të njeriut e të jetës së tij në të gjitha fazat, në përkrahjen e familjes të bazuar mbi martesën. Por, vërejti Papa Racinger:
“Mbetet akoma shumë rrugë për të bërë që t’u sigurohet domenikanëve një jetë e denjë, të çrrënjosen plagët e varfërisë, të trafikut të drogës, mënjanimit e dhunës. Siç duhet bërë edhe gjithçka që ka për qëllim forcimin e institucioneve, thelbësore për mirëqënien e shoqërisë, e cila mbështetet mbi shtylla si ndershmëria e transparenca, pavarësia juridike, kujdesi dhe respekti për ambientin dhe fuqizimi i shërbimeve shoqërore, shëndetësore dhe edukative për krejt popullsinë”.
Papa siguroi mbështetjen e Kishës lokale, sidomos në sektorët e edukimit dhe të asistencës për të varfërit, të sëmurët, të moshuarit e jetimët:
“Kisha, e cila nuk mund të përzihet me bashkësinë politike, është dakord me shtetin kur promovon dinjitetin dhe kërkimin e së mirës së përbashkët për shoqërinë”.
Për këtë duhet luftuar korrupsioni, përfundoi Ati i Shenjtë. Autoritetet domenikane do të kenë gjithnjë bashkëpunimin e Kishës për ndërtimin e një qytetërimi më të lirë, më paqësor, më të drejtë e më vëllazëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.