2009-04-02 17:58:59

“Dëshmia e shpresës në Hyjin e gjallë” është trashëgimia e Gjon Palit II për të rinjtë. Kështu Benedikti XVI në meshën për 4-vjetorin e vdekjes së paraardhësit.


(02.04.2009 RV) RealAudioMP3 “Mos kini frikë”: fraza tashmë e famshme e Papës Gjon Pali II i vjen ndërmend personave që e kanë njohur komunizmin, nga i cili Ati i Shenjtë u bënte thirrje njerëzve të dilnin, me hir a pahir, por pa frikë. Vijnë ndërmend pikërisht sot, në 4-vjetorin e përfundimit të jetës tokësore të atij, që turma e deshi “shenjt menjëherë”. Ishte ditë e shtunë, 2 prilli i vitit 2005, kur në orën 21.37 Papa Vojtila dha shpirt në moshën 84 vjeçare, i shoqëruar nga lutja e besimtarëve të botës mbarë, përveç mijërave të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Sot pasdite, pasardhësi i tij, Benedikti XVI kremtoi Meshën përkujtimore në praninë e të rinjve të dioqezës së Romës, të cilët kështu përgatiten për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në nivelin dioqezan të Dielën e Larit. Papa Racinger nuk mund të mos kujtonte lidhjen e veçantë të Gjon Palit II me rininë, entuziazmin që ngjallte Vojtila në të rinjtë e oqeanet me të rinj që i shoqëronin takimet me Papën në Ditët e shkuara të Rinisë. “Falenderojmë Zotin – tha Benedikti XVI gjatë homelisë – që i dha Kishës për shumë vjet një Bari kaq të zellshëm e kaq bujar”. Edhe sot e kësaj dite homazhet në varrin e tij në Kriptën e Vatikanit nuk ndalen. Aty vijnë të luten mijëra njerëz, nga e gjithë bota, që presin shpalljen e lumnimit të tij nga ana e Kishës. Papa Racinger nuk harroi të përshëndesë edhe të rinjtë polakë, të ardhur në Romë në këtë ditë përkujtimore. Gjon Pali II – theksoi Benedikti XVI – ishte mbrojtës e dëshmitar i vërtetë i Krishtit:
“Për Të nuk hezitoi të shpenzojë çdo energji për t’ia përhapur kudo dritën; nuk pranoi kompromise, kur i duhej të shpallte e të mbronte të Vërtetën e Krishtit; nuk u lodh kurrë së përhapuri dashurinë e Tij. Që nga fillimi i papnisë e deri më 2 prill 2005, nuk pati frikë t’u shpallte të gjithëve, gjithmonë, se vetëm Jezusi është Shpëtimtari e Çlirimtari i vërtetë i njeriut…”
E Papa Benedikti XVI iu kthye marrëdhënieve të Gjon Palit II me rininë, duke kujtuar se gjatë viteve të papnisë, ai u bë gati ati shpirtëror për mijëra vetë. Të rinjtë e pranishëm në Meshën e sotme janë shenja e dukshme e ndikimit të Shërbëtorit të Zotit. Ata ishin nga Roma, nga Sidnej e Madridi dhe përfaqësonin idealisht aradhet e djemve e vajzave, që morën pjesë në 23 Ditë Botërore të Rinisë, në çdo anë të botës:
“Sa thirrje për meshtarì e për jetë rregulltare, sa familje të reja të vendosura të jetojnë idealin ungjillor e të priren drejt shenjtërisë, janë të lidhura me dëshminë e predikimin e Paraardhësit tim të nderuar! Sa djem e vajza janë kthyer në rrugën e Zotit, ose kanë vazhduar në rrugën e tyre të krishterë falë lutjes së tij, falë inkurajimit, mbështetjes dhe shembullit të tij”.
Gjon Pali II, nënvizoi Papa Racinger, u komunikonte njerëzve një shpresë të jashtëzakonshme. E ishin pikërisht të rinjtë, ata që e ndjenë më shumë, se atë ditë të 2 prillit, katër vjet më parë, po vdiste Papa “i tyre”, ai që e konsideronin “atë” në fe, ai që u linte si trashëgim dëshminë e guximit e të koherencës. A s’kishte thënë mëse një herë se Ungjilli duhet jetuar, duke u bërë thirrje të rinjve e të rriturve ta marrin seriozisht këtë përgjegjësi të përbashkët edukative? E Benedikti XVI, duke theksuar se ky është shqetësim edhe i tij, shfrytëzoi rastin për të folur mbi emergjencën edukative të rinisë:
“Në moshën e adoleshencës, të rinjtë kanë nevojë për të rritur të aftë t’u propozojnë atyre parime e vlera; ndjejnë nevojën e personave që dinë t’u mësojnë atyre me jetë, më parë se me fjalë, si të ndjekin idealet më të larta”.
E për këtë nuk mjafton forca e njeriut, vazhdoi Papa, duke rimarrë në dorë temën e shpresës në Zotin, aq të dashur për të. Benedikti XVI kujtoi temën e Ditës së 24-t Botërore të Rinisë: “Shpresojmë në Hyjin e gjallë” (1 Tm 4, 10) e duke u thënë të rinjve se “nuk mund të jetohet pa shpresë”, u shpjegoi se ajo ka nevojë për një “shkëmb” ku të lidhet, ka nevojë pikërisht për Hyjin e gjallë:
“Por kini kujdes - paralajmëroi Papa: në çaste si këto, në kontekstin kulturor e shoqëror në të cilin jetojmë, mund të jetë më i fortë rreziku i reduktimit të shpresës së krishterë në ideologji, në parrulla grupesh, në veshje të jashtme. Asgjë më shumë se kjo nuk është në kundërshtim me mesazhin e Jezusit!”
Shpresa nuk është pjesë që luhet në teatër; vetë të krishterët janë shpresë. Secili prej nesh është një burim i vogël shprese për të afërmin e të gjithë sëbashku mund të bëhemi një oaz shprese për krejt shoqërinë, u tha Benedikti XVI të rinjve. Kushti për këtë është një i vetëm: të jetojmë me Krishtin e në Krishtin. Kjo arrihet përmes lutjes e Sakramenteve:
“Nëse fjalët e Krishtit mbeten në ju, mund ta përhapim flakën e asaj dashurie që Ai ndezi mbi tokë; mund ta mbajmë lart pishtarin e fesë e të shpresës, me të cilin ecim drejt Tij, ndërsa presim kthimin e Tij të lavdishëm në fundin e të gjitha kohrave. Është pishtari që Papa Gjon Pali II na la trashëgim!”
 







All the contents on this site are copyrighted ©.