2009-04-02 15:59:15

Shqipëria dhe Kroacia hynë përfundimisht në NATO


(02.04.2009 RV)RealAudioMP3 Më në fund, pas disa vitesh reforma të thella në ushtri, si në organizimin ashtu edhe në përbërjen e saj, Shqipëria së bashku me Kroacinë u pranuan në NATO.
Kërkesa e anëtarësimit të këtyre dy vendeve ballkanike, e cila ishte pranuar që në takimin e nivelit të lartë të NATO-s të vitit të kaluar në Bukuresht, u miratua përfundimisht në Uashington dje, më 1 prill 2009 ku ambasadorët e Tiranës dhe Zagrebit paraqitën dokumentet e nevojshme për ceremoninë e rastit.
“Që sot Shqipëria dhe Kroacia janë në Aleancë duke e çuar kështu numrin e anëtarëve në 28” – lajmëroi në Bruksel Xhejms Apathurai.
Kështu, Shqipëria dhe Kroacia do të ulen së bashku në tavolinën e NATO-së në takimin që do të zhvillohet nesër dhe pasnesër në Strasburg, ku do të marrin pjesë kryetarë qeverish dhe shtetesh.
“Shqipëria dhe Kroacia kanë punuar pa pushim për të arritur objektivat demokratike dhe ushtarake të nevojshme për anëtarësimin” – u shpreh për shtypin zëdhënësi i NATO-s. “Të dyja këto vende përjetuan periudhën e vështirë që kaloi Ballkani perëndimor dhe tani me plot meritë do të kenë vendin e tyre në Aleancë, si të gjithë aleatët e tjerë. Do të përfitojnë nga të drejtat, por edhe do të kenë përgjegjësitë e tyre.” u shpreh zëdhënësi.
Në Kroaci pranimi në NATO nuk është pritur me shumë entuziazëm, përkundrazi në Shqipëri të gjitha forcat politike e përshëndetën këtë ngjarje me gëzim të madh.
Por pikërisht në kohën kur Shqipëria u pranua në NATO, Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri të njohur shifra tronditëse në lidhje me korrupsionin në vend. Sipas raportit të këtij organi për vitin 2008, korrupsioni në administratën shtetërore shqiptare i shkakton vendit një dëm tepër të madh që u vlerësua me afro 4 miliardë lek, baras me 30 milionë euro në vit. Në vend të parë për korrupsion renditen zyrat e tatimeve dhe të taksave. Qytetet ku këto punojnë më dobët janë Tirana dhe Vlora ku edhe vjelja e tyre është tepër e ulët.







All the contents on this site are copyrighted ©.