Përfundoi në Vatikan mbledhja e Komisionit për Kishën në Kinë
(02.04.2009 RV)Përfundoi dje në
Vatikan, mbledhja e dytë e Komisionit për Kishën në Kinë. Ky Komision është themeluar
nga Papa Benedikti XVI në vitin 2007 për të studiuar çështjet me rëndësi për katolikët
kinezë. “Në bashkim me ipeshkvijtë e Kishës në Kinë, përgjegjës kryesorë të bashkësive
kishtare – referon komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – do të promovohet
një formim më i përshtatshëm human, intelektual, shpirtëror e baritor i klerit dhe
i personave të shuguruar, të cilët kanë detyrën e rëndësishme të veprojnë si dishepuj
besnikë të Krishtit e si anëtarë të Kishës dhe të kontribuojnë për të mirën e vendit
të tyre si qytetarë shembullorë”. “…Pjesëmarrësit – vazhdon komunikata – duke iu referuar
edhe përvojës së tyre të vuajtjes, vunë në dukje problematika të ndërlikuara të situatës
aktuale kishtare në Kinë, të cilat rrjedhin jo vetëm nga vështirësitë brenda Kishës,
por edhe nga marrëdhëniet jo të lehta me Autoritetet civile. Në këtë kontekst – lexohet
– u mor vesh me dhimbje lajmi i arrestimit të ri të imzot Gjulio Jia Zhiguo, ipeshkëv
i dioqezës së Zhengdingut. Situata të tilla krijojnë pengesa për klimën e dialogut
me Autoritetet përkatëse… Fatkeqësisht nuk është rast i izoluar – saktëson Salla e
Shtypit e Vatikanit – edhe prelatë të tjerë janë privuar nga liria ose u janë nënshtruar
presioneve e kufizimeve në veprimtarinë e tyre baritore”. Të gjithëve, pjesëmarrësit
në mbledhjen e djeshme u sigurojnë lutjen në këtë kohë Krezhmësh, të ndriçuar nga
Misteri i Pashkëve. Mbledhja përfundoi me një takim me Papën Benedikti XVI.