(01.04.2009 RV)Shën Ugo i Grenoblës lindi në Vitin 1053 në Shatonëf-syr-Lërs
e vdiq në Grenoblë, më 1 prill 1132, pas 52 vjet shërbimi ipeshkvnor në qytetin francez.
Bir i një familjeje fisnike, u edukua në prehërin e një nëne thellësisht katolike,
e cila e mësoi të lutej, të jepte lëmoshë, të agjëronte. Një rrugë e tillë s’kish
si të mos e çonte në shërbim të elterit: 27 vjeç ishte ipeshkëv i Grenoblës, ndonëse
dëshira e tij më e madhe ishte të jetonte si vetmitar. Hoqi dorë, prandaj, nga
katedra e Grenoblës e hyri murg në një bashkësi benediktine. Por ai, që e zgjodhi
për shërbim ipeshkvnor, nuk e pranoi dorëheqjen e ipeshkvit të ri, ndonëse shprehte
përvujtëri të thellë. Ishte koha kur Papa po bënte përpjekje për ta çliruar Kishën
nga padija, babëzia, shthurja, shumë të përhapura. E për t’ia arritur këtij qëllimi,
ishte gati të ndeshej pa frikë me të gjithë ata, që i kundërviheshin fesë e moralit
të krishterë: dinjitarë laikë e kishtarë, princa e perandorë. Gregori VII do të mbetej
në histori për këtë betejë sa të guximshme, aq të domosdoshme. Prandaj Ugo mori prej
tij urdhër të kthehej menjëherë në Grenoblë e të rifillonte detyrën. E Shenjti e rifilloi
në përkim të plotë me Papën: spastroi, qortoi, largoi nga Kisha njerëzit e padenjë.
E, mbi të gjitha, dha vetë mësim, për të mundur kështu paditurinë. Qe i pëgatitur
mirë për këtë detyrë të vështirë, sepse kishte studiuar në Valencë e në Reims ku,
ndërmjet profesorëve, kishte pasur edhe Brunon e Këlnit, njeri i njohur për kulturë
e rreptësi, që arriti ta dëbojë ipeshkvin e tij, sepse e kishte blerë katedrën me
para. Papa tani ishte krejt i kënaqur me Ugon; në dioqezën e tij reforma shkonte përpara.
E ja që në Grenoblë arriti papritmas pikërisht Brunua i Këlnit me një grup shokësh.
Profesori kishte në plan të themelonte një bashkësi të re, që do të bazohej mbi dy
shtylla kryesore: lutje e punë! Ipeshkvi i ri u tregua i gatshëm ta ndihmojë e kështu,
në shkretëtirën e Shartrëzës (frëngj. Chartreuse) lindi eremitazhi i parë i murgjërve,
që u quajtën Çertozinë: një forcë e re për risimin e Kishës. Shën Ugua vijoi t’i ndihmonte
vetmitarët e njëkohësisht të kryente shërbimin e tij si ipeshkëv, nën papninë e Vitorit
III, të Urbanit II, Paskualit II, Gjeloshit (Gelasio) II e Kalistit II. Kur u zgjodh
papë Onori II nga Imola, Ugua i shkroi një letër, përmes së cilës kërkonte dorëheqjen
për arsye se i kishte kaluar shtatëdhjetë vjetët, ishte i sëmurë e nuk i kishte më
energjitë, që duheshin për të vijuar rrugën e përtëritjes së dioqezës. Papa, duke
e ditur fare mirë ç’përfaqësonte ipeshkvi për popullin e tij, iu përgjigj se i pëlqente
më shumë ipeshkvi plak, sesa një i ri, sado energjik e i zellshëm të ishte. Kështu
Ugua vijoi ta udhëhiqte dioqezën edhe gjatë papnisë së Onorit. E, para se të vdiste,
pas 52 vjet ipeshkvnie, pa duke u ulur në katedrën e Shën Pjetrit edhe një papë tjetër:
Inoçencin II.