2009-04-01 18:59:58

Letër e Papës për krerët e G20-ës: mos harroni më të varfërit


(01.04.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI i shkruan një letër kryeministrit britanik, Gordon Braun, në prag të mbledhjes së G20-ës, që do të fillojë nesër në Londër. Papa u kërkon krerëve botërorë të lehtësojnë pasojat e krizës ekonomike globale, pa harruar më të varfërit, që nuk kanë përgjegjësi për dështimet e financës.
Të shmangen “zgjidhjet e diktuara nga egoizmi nacionalist dhe proteksionizmi”. Papa Racinger kërkon në letër, të koordinohen sa më shpejt masat për stabilizimin e tregjeve financiare dhe për kapërcimin e periudhës së tanishme, në të cilën ekonomia po shkon mbrapa. Gjithashtu, të reformohen sistemet e qeverisjes globale, që kriza të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Nëse në Londër do të përfaqësohen nesër 20 ekonomitë më të fuqishme të botës, të cilat kontribuojnë me 90% në Prodhimin e brendshëm brut global dhe kanë në dorë 80% të tregtisë së planetit, Ati i Shenjtë vë në dukje se në këtë mbledhje mungon krejt Afrika Subsahariane, me përjashtim të Afrikës së Jugut. Por ata që sot nuk kanë zë në skenarin politik – shkruan – “janë pikërisht ata që vuajnë më tepër nga dëmet e një krize, për të cilën nuk kanë përgjegjësi”. Prej këndej, rekomandimi që vendimet e marra në mbledhjen e G20-ës të jenë kolegjiale, të mos preken ndihmat për zhvillimin dhe zhdukja e borxhit të jashtëm të vendeve më të varfëra.
E nëse “një element qendror i krizës aktuale – shpjegon Papa – duhet kërkuar në mungesën e etikës së strukturave ekonomike, vetë kriza na mëson se etika nuk është ‘jashtë’ ekonomisë, por ‘brenda’ saj dhe se ekonomia nuk funksionon nëse nuk ka edhe elementin etik”.
Letra përfundon me thirrjen për të mos harruar objektivin e Mijëvjeçarit, për të zhdukur varfërinë e skajshme brenda vitit 2015.
Gati përgjigjja e kryeministrit britanik, Gordon Braun, i cili është dakord me Papën. “Ky është një çast vendimtar për botën ekonomike – shkruan Braun. Ne duhet të marrin një vendim të qartë. Ose ta lemë kthimin mbrapa të ekonomisë të bëjë punën e vet, ose mund ta zgjidhim problemin duke u bashkuar si komunitet botëror, për t’u qëndruar pranë miliona personave që vuajnë në këto kohë të vështira, për të luftuar kundër kësaj rënieje ekonomike, që po dëmton kaq shumë njerëz në çdo kontinent. Shpresoj – përfundon letra – që krerët e botës të arrijnë ta përballojnë sëbashku këtë sfidë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.