2009-04-01 18:58:15

Intervistë me prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, imzot Amato, mbi lumnimin e Papës Gjon Pali II


(01.04.2009 RV)RealAudioMP3 Lutja e Benediktit XVI për Lumnimin e Papës Gjon Pali II, sot në audiencën e përgjithshme, pasqyron ndjenjat që ushqejnë shumë besimtarë në çdo anë të botës. Dëshmi e dashurisë për Papën Vojtila janë kremtimet e ndryshme, që këto ditë shumëfishohen. Kujtojmë se 4-vjetori i vdekjes së tij bie nesër, më 2 prill. Sot pasdite, në orën 17, në kishën e Shën Marisë së Popullit në Romë, kremtoi meshën kardinali kryeipeshkëv i Krakovisë, Stanislau Xhivish. Nesër, në orën 18.00, vetë Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin eukaristik në Shën Pjetër, në kujtim të paraardhësit të vet. Por si po shkon procesi i Lumnimit të Gjon Palit II? Pyetëm prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kryeipeshkvin Angjelo Amato:
Po bëj menjëherë një saktësim. Çështja e Shërbëtorit të madh të Zotit u përshpejtua shumë, kur më 9 maj 2005, Ati i Shenjtë Benedikti XVI na çliroi nga pesë vjetët e parashikuar për fillimin e saj. Kjo i ka dhënë Çështjes përparësi, që do të thotë se ajo nuk do të hyjë në listën e veçantë të Çështjeve në pritje të gjykimit, të cilat janë mëse njëmijë.
Pra jemi afër Lumnimit?
Pikërisht, meqë kemi të bëjmë me Çështjen e një pape kaq të njohur e të dashur, shpejtësia na detyron të kemi saktësi të madhe metodologjike e të respektojmë procedurat e parashikuara. Shpejtësi nuk do të thotë ngutje ose punë e përciptë, përkundrazi, shpejtësia kërkon kujdes dhe profesionalitet.
Në ç’pikë keni arritur me Çështjen e Lumnimit të Gjon Palit II?
Siç e dini, procesi dioqezan u mbyll me sukses në maj të vitit 2007. Kështu u bë gati dhe iu dorëzua Kongregatës së Çështjeve të Shenjtorëve, në fund të nëntorit 2008, e ashtuquajtura “Positio”, për një shqyrtim të parë të Këshilltarëve teologë. Pasi të kalojë këtë provim – e nuk mund të parashikojmë kohë të caktuara – Çështja do t’i kalojë për gjykim Seksionit të zakonshëm të Kardinajve dhe Ipeshkvijve, për të arritur më në fund në vendimin e Atit të Shenjtë për dekretin e Nderimit. Edhe mrekullia, që i atribuohet Shërbëtorit të Zotit, i nënshtrohet një procedure të kujdesshme, që parashikon këto etapa: merret mendimi i dy mjekëve, më pas bëhet një Konsultë mjekësore ku merret një vendim kolegjial, e së fundi merret në shqyrtim nga teologët dhe nga Seksioni i zakonshëm i Kardinajve dhe Ipeshkvijve. Rezultati i referohet Atit të Shenjtë, i cili merr vendimin përfundimtar. Pasi mbyllet ky proces – i cili, përsëris, pikërisht për respektin ndaj figurës së madhe të Shërbëtorit të Zotit duhet bërë me shumë kujdes – mund të vendoset një datë për Lumnimin.
Imzot Amato, jo vetëm Polonia, por krejt Kisha tregon interes të jashtëzakonshëm për lumnimin e Gjon Palit II…
Interesi, jo vetëm i kombit fisnik polak, por edhe i krejt Kishës për Çështjen e Lumnimit, është edhe i Atit të Shenjtë Benedikti XVI dhe i Kongregatës sonë. Për këtë arësye po ecim me shpejtësi. Gjon Pali II, përmes ekzistencës së tij tokësore e magjisterit papnor vazhdon ta ndriçojë Kishën me madhështinë e vet. Por sidomos vazhdon të frymëzojë në të gjithë besimtarët, e veçanërisht në të rinjtë, ideale shenjtërimi e shërbimi. Pritja për lumnimin e tij është rasti i volitshëm për të nxitur kthimin e besimtarëve në rrugën e Lajmit të Mirë të Ungjillit të Krishtit. Motoja e tij e famshme mariane “Totus tuus” duhet të vazhdojë të na ngjallë në zemra dëshirën për të ndjekur Krishtin, të udhëhequr nga dora amnore e Shën Marisë, Nënës së Kishës e Nënës së Shenjtorëve. Kjo kohe pritjeje qoftë pra kohë e përflakjes shpirtërore, e lutjes dhe e shërbimit misionar.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.