2009-03-31 15:48:10

Thirrja e Papës për pengjet në Filipine, pas skadencës së ultimatumit të grupit Abu Sajaf


(31.03.2009 RV)Në Filipine skadoi ultimatumi i rebelëve, të cilët që prej 75 ditësh mbajnë peng 3 veprimtarë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Papa Benedikti XVI, duke e bërë të vetin shqetësimin e familjeve dhe të atyre që kanë për zemër lirimin e operatorëve, bëri sot një thirrje të fuqishme që arësyeja të mbizotërojë mbi dhunën e frikën.
Ati i Shenjtë, shpjegohet në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Vatikanit, kërkon, në emër të Zotit, të lirohen pengjet dhe nxit autoritetet të bëjnë më shumë për ta zgjidhur çështjen paqësisht. Veprimtarët e Kryqit të Kuq akoma janë gjallë, por guerrilasit e grupit islamik Abu Sajaf, pranë Al Kaedës, kërcënojnë se do t’ia presin kokën njërit prej tyre, nëse qeveria nuk tërheq forcat e sigurisë të disllokuara në provincën Sulu. Autoritetet e Filipineve kanë shpallur gjendjen e emergjencës në ishullin Jolo dhe deklarojnë se është materialisht e pamundur të plotësojnë kërkesën e rrëmbyesve. Pengjet – një italian, një filipinase dhe një zviceran – u rrëmbyen më 15 janar, në vendin ku Kryqi i Kuq kishte ndërmend të ristrukturonte rrjetin hidrik.







All the contents on this site are copyrighted ©.