2009-03-31 15:48:45

Nga 3 deri më 5 prill, takim në Vatikan për organizatorët e Ditës Botërore të Rinisë të Madridit 2011.


(31.03.2009 RV)Nga Sidnei në Madrid, duke ecur përkrah Shën Palit. Kjo është rruga formuese, që duhet të ndjekin organizatorët e Ditëve Botërore të Rinisë, të ftuar në Romë nga 3 deri më 5 prill për takimin e parë ndërkombëtar të këtij tipi. Ky takim – shkruhet në një notë të dikasterit papnor – e shikon ngjarjen e madhe të Madridit me sytë e gëzimit festiv dhe të entuziazmit të papërshkrueshëm shpirtëror të Ditës Botërore australiane, që la pas. Në takimin e fundjavës së ardhshme - vijon nota – do të marrin pjesë 150 delegatë, përfaqësues të 70 kombeve e bashkësive të ndryshme, të ftuar për të reflektuar mbi fjalët e Shën Palit drejtuar Timoteut: “Shpresojmë në Hyjin e gjallë”.
Dita e parë e punimeve do t’i kushtohet vlerësimit të arritjeve në takimin e Sidneit 2008. Prandaj, ndërmjet të tjerëve, do të jetë i pranishëm edhe kardinali Xhorxh Pel, kryeipeshkëv i qytetit australian. Më pas do të reflektohet për ndikimin që pati ngjarja e madhe në Australi e më gjërë dhe për shfrytëzimin e saj si model për punën me rininë.
Të shtunën, më 4 prill, vëmendja do të përqendrohet tek takimi i ardhshëm i Spanjës, duke filluar nga njohja me Kishën vendase, për të cilën do të flasë kardinali Antonio Roko Varela. Më pas anëtarët e Komitetit organizator – vijon akoma nota – do të paraqesin arsyet, sfidat e shpresat e reja, që lindin nga kjo etapë e Ditëve Botërore, shoqëruar me dëshmitë e të rinjve spanjollë. Në vijim pjesëmarrësit do të ndjekin informacionin e parë për planet organizative. Vlerësimet përfundimtare do t’i japin kardinali Stanislao Rilko dhe imzot Jozef Klemens, përkatësisht kryetar e sekretar i Këshillit Papnor për Laikët.
Më 5 prill, delegatët do të marrin pjesë në Meshën e së Dielës së Larit, kryesuar nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, që përkon edhe me kremtimin e Ditës së 24-t Botërore të Rinisë. Me këtë rast – përfundon nota – sipas traditës, të rinjtë australianë do t’ia dorëzojnë Kryqin e DBR-së të rinjve spanjollë: kalimi i Kryqit nga dora në dorë, është dëshmi e gjallë e pranisë së Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur në botën e të rinjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.