2009-03-31 15:47:43

Benedikti XVI: vokacioni, gërshetim dashurie ndërmjet thirrjes së Zotit dhe përgjigjes së lirë të njeriut, mbështetur nga lutja e bashkësisë së krishterë.


(31.03.2009 RV)RealAudioMP3 Përgjigjja e personave para thirrjes për t’i shërbyer Zotit si meshtar ose si rregulltar të mos varet nga vështirësitë apo dyshimet, por të përforcohet vazhdimisht falë lutjes dhe Eukaristisë. Ky është urimi i Benediktit XVI në Mesazhin për Ditën e 46-të botërore të lutjes për thirrjet, që do të kremtohet më 3 majin e ardhshëm. Tema e këtij viti është: “Besimi në iniciativën e Zotit dhe përgjigjja njerëzore”.
Gjatë rrugës drejt shenjtërimit, e cila është e hapur për të gjithë, historia e Kishës është karakterizuar nga thirrje të veçanta ungjillore, që i kanë dhënë asaj jetë e limfë të re. Është “një dhuratë e veçantë hyjnore” – shpjegon Papa në mesazhin e vet – ajo për të cilën disa burra e gra bëhen “ministra dhe dëshmitarë të privilegjuar” të Krishtit. Por, “cili mund ta quajë veten të denjë për shërbimin meshtarak? Kush mund të përqafojë jetën e shuguruar, duke u bazuar vetëm në fuqitë e tij njerëzore?”. Ati i Shenjtë hyn thellë në misterin që fshihet pas çdo thirrjeje, në veçanti reflekton mbi atë “gërshetim dashurie” ndërmjet “inicativës së lirë” të Atij që thërret dhe “përgjigjes së lirë” të atij që është i thirrur. “Kur jemi të vetëdijshëm se është Zoti ai që e merr iniciativën e është gjithnjë Ai që e çon deri në fund planin e tij shpëtimprurës”, shkruan Benedikti XVI, përgjigjia e njeriut “nuk vishet kurrë me llogarinë gjithë frikë të shërbëtorit dembel, i cili nga frika fshehu nën tokë talentin, që ia besoi i zoti, por shprehet me pranimin e ftesës së Zotit, siç bëri Pjetri kur nuk ngurroi të hidhte sërish rrjetat, duke i besuar fjalës së Hyjit, megjithëse ishte lodhur gjithë natën pa zënë asgjë”. Kjo nuk do të thotë aspak të heqësh dorë nga përgjegjësia personale, por të bëhesh bashkëpërgjegjës me Zotin në rrugën e thirrjes.
Jezusi, i cili u tregua i gatshëm të kryejë vullnesën e Zotit, është shembulli më i lartë i dialogut vokacional. Flijimi i tij, që ne e kremtojmë në Eukaristi, vazhdon Papa, na bën të kuptojmë më mirë se si besimi në iniciativën e Zotit i jep vlerë edhe përgjigjes së njeriut. “Në kremtimin eukaristik – vëren Benedikti XVI – është vetë Krishti që vepron në ata, që Ai vetë i zgjedh si ministra; i mbështet që përgjigjia e tyre të marrë gjithnjë e më tepër përmasën e besimit e të mirënjohjes, e cila mund çdo lloj frike, edhe atëherë kur dobësia e brendshme bëhet më e fortë, ose kur bëhet më i ashpër ambienti, me keqkuptime e madje edhe me persekutime”. Papa falenderon Zotin për thirrjet e reja, megjithëse mbetet shqetësimi për mungesën e meshtarëve në disa zona të globit, si edhe për vështirësitë e pengesat që shoqërojnë rrugën e Kishës.
Benedikti XVI u kërkon bashkësive të krishtera, si familjeve, ashtu edhe famullive, të luten vazhdimisht që Zoti të dërgojë gjithnjë punëtorë në vreshtën e vet e t’u kërkojë disave të impenjohen lirisht për të bashkëpunuar me Të në veprën e shëlbimit të botës. Papa e përfundon mesazhin duke i ftuar meshtarët e rregulltarët të mos çkurajohen para vështirësive e dyshimeve, por ta ndjekin me besnikëri Krishtin. “Do të jeni kështu – u siguron Papa atyre – dëshmitarë të gëzimit që lind nga bashkimi intim me Hyjin”. E duke imituar shën Marinë, përfundon Ati i Shenjtë, “impenjohuni me të gjitha energjitë shpirtërore të realizoni planin shpëtimprurës të Atit qiellor, duke kultivuar në zemër, si Ajo, aftësinë për t’u çuditur e për të adhuruar Atë, që ka pushtetin të bëjë ‘gjëra të mëdha’, sepse i Shenjtë është emri i Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.