2009-03-31 15:49:14

Amerika dhe Evropa përballë së drejtës për jetën. Opinioni i prof. Karlo Kardias, pedagog i së Drejtës kishtare.


(31.03.2009 RV)Ipeshkvijtë amerikanë dhe shoqata të ndryshme “pro Life” po mobilizohen në mbrojtje të ligjit, që i lejon personelit shëndetësor të refuzojë shërbimin, në rastet kur duhet kryer një abort, ose kërcënohet në ndonjë mënyrë jeta. Një normë që administrata e presidentit të ri Obama ka ndërmend ta heqë. Kardinali Frensis Xhorxh, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, ka kërkuar që ligji të mos ndryshojë. Të dëgjojmë opinionin e pedagogut të së Drejtës kishtare në Universitetin Roma Tre, pro. Karlo Kardia:
Jemi para një hipoteze të jashtëzakonshme, ose më mirë të themi, tronditëse, pasi e drejta e kundërshtimit për arësye të ndërgjegjes sanksionohet nga gati të gjitha legjislacionet, jo vetëm nga ato perëndimore. Edhe në vende të tjera të botës, që kanë sisteme juridike më pak të rafinuara, kjo është një klauzolë garancie pikërisht për lirinë e ndërgjegjes. Deri më sot, askush nuk ka menduar kurrë ta heqë ligjin, i cili vihet sa herë që shteti miraton norma të diskutueshme.
Parimi i kundërshtimit për hir të ndërgjegjes është i pranishëm edhe në kulturën amerikane, që nga Kushtetuta…
Po ju them edhe më, ka qenë pikërisht Gjykata e Lartë amerikane, ajo që e ka promovuar këtë parim. Më duket e vështirë të dhunohet një parim, që është i lidhur ngushtë me lirinë e ndërgjegjes, në shprehjen e saj më të lartë. Nuk është e drejtë autonome, por lind nga njohja e lirisë së ndërgjegjes. Sistemi juridik amerikan ka qenë nga të parët që e kanë njohur këtë, si të drejtë që i paraprin ekzistencës së shtetit.
Nga SHBA-të, kalojmë në Evropë. Në Spanjë, me një manifestim të madh, popullsia e hodhi poshtë projektin e qeverisë, i cili lejonte abortin edhe pas 22 javësh, në rastin e një fëmije të formuar keq. Jeta, sidomos kur është e ligësht, si në këtë rast, është gjithnjë e më tepër në rrezik…
Shoh në këtë konfirmimin e alarmit që është dhënë tashmë prej vitesh, që kur legjislacionet evropiane përpiqeshin t’i shtonin mundësitë e ndërprerjes së shtatzanisë dhe t’i afroheshin eutanazisë, hipoteza që më pas i kanë sanksionuar qartë. Kur ligji i shtetit ndahet nga çdo lloj parimi moral, nuk ka më as kufi e as limit.
Në Britaninë e Madhe propozojnë reklama abortiste për t’i bërë ballë rritjes së numrit të shtatzanive ndër adoleshentë. Sipas jush, jemi para një qëndrimi të përbashkët, që në emër të lirisë mohon të drejtën më parësore, atë të jetës?
Jemi para diçkaje më të hollë e më të mbrapshtë, jemi para deformimit të të drejtave themelore të njeriut. Të gjithë e dimë se e drejta për jetën bën pjesë në të gjitha Kartat ndërkombëtare të të drejtave njerëzore e në kushtetutat e gati të gjitha vendeve të botës. Ç’po ndodh? Fillimisht u tha: për motive shoqërore, personale, po bëjmë përjashtime. Ndërprerja e shtatzanisë u konsiderua si përjashtim, aq është e vërtetë, saqë nuk u kodifikua asnjëherë si e drejtë, por si një mundësi për raste të caktuara. Por tani, dalëngadalë, disa vende po e shndërrojnë në të drejtë. Kur përjashtimi bëhet e drejtë hyn në lojë një mekanizëm tjetër: shteti e ndjen për detyrë ta promovojë këtë të drejtë, e madje, të bëjë propagandë që të përdoret e drejta për abort. Kur arrihet në këtë pikë, rezultati paradoksal dhe i trishtë është se e drejta për jetën, edhe sot e kësaj dite pjesë e Kartave ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, mohohet siç nuk e ka imagjinuar kurrë asnjë prej hartuesve të atyre Kartave.







All the contents on this site are copyrighted ©.