2009-03-30 18:24:43

Benedikti XVI në famullinë e Fytyrës së Krishtit: “Pas territ të vuajtjes është dielli i Mirësisë hyjnore”. Këshillat pastorale i japin jetë Kishës, falë bashkëpunimit ndërmjet meshtarëve e laikëve.


(30.03.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI shkoi dje për vizitë në famullinë romake të Fytyrës së Krishtit, ku kremtoi Meshën e u foli besimtarëve të moshuar, të rritur e fëmijë.
“E dimë … se Dielli, edhe pse shpesh i fshehur, ekziston, se Zoti është afër, na ndihmon e na shoqëron. Prandaj, në këtë kuptim, duam të shkojmë drejt Pashkëve, duke e ditur se vuajtjet e vështirësitë i përkasin jetës sonë, por me vetëdijen se pas tyre është dielli i Mirësisë hyjnore”.
Me këto fjalë, i përshëndeti Papa qindra personat, që po e prisnin në zonën e Maljanës të kryeqytetit italian, pavarësisht nga shiu. Famullia e Fytyrës së Krishtit karakterizohet nga një numër i madh familjesh, të cilat shpesh janë gjithë ditën në punë, duke ua deleguar kështu institucioneve, edhe atyre kishtare, edukimin e fëmijëve. Sidomos të rinjve, Benedikti XVI u kërkoi të dëgjojnë se ç’kërkon Zoti prej tyre e ta ndjekin pa frikë planin e Hyjit për ta. Papa u bëri thirrje të gjithëve të ndihmojnë personat në vështirësi për shkak të krizës ekonomike dhe lavdëroi Karitasin e famullisë e Bashkësinë e Shën Egjidit për punën që bëjnë në këtë drejtim. Më pas, Ati i Shenjtë vuri në dukje rolin e madh të Këshillit pastoral të famullisë, një organizëm që Papa e përkufizoi si “dhuratë të Koncilit II të Vatikanit”:
“Në kohën tonë, kur shekullarizmi është i fortë… është edhe më e rëndësishme që meshtari të mos jetë “solist”, por të rrethohet nga besimtarë që, sëbashku me të, bartin në vetvete farën e Fjalës dhe ndihmojnë që ajo të mbetet gjallë e të rritet”.
Papa kujtoi vizitën e tij në Qendrën Kardinal Lëzhè, në Jaundé të Kamerunit. Më shumë se Sida e gërbula, theksoi Ati i Shenjtë, spikaste forca e fesë e sa e sa njerëzve në shërbim të të sëmurëve. Falë këtyre njerëzve dhe dashurisë së tyre, vuajtja shndërrohet në diçka tjetër:
“Edhe personat që ndihmojnë shndërrohen, bëhen më njerëzorë, më kristianë, ndihet diçka nga dashuria e Zotit. Kështu, secili në fushën e vet, të jemi edhe ne të ndjeshëm para vuajtjes e të vuajturve, të varfërve, nevojtarëve, para formave të ndryshme të varfërisë, edhe asaj shpirtërore. Këta njerëz na presin e në ta na pret Zoti”.
Në përfundim të vizitës së tij në famullinë e Fytyrës së Krishtit në Maljana të Romës, Benedikti XVI u takua me fëmijët që përgatiten për Kungimin e Parë:
“Të dashur fëmijë…Jam i lumtur që ndodhem këtu me ju, megjithëse koha është e keqe e sot jemi zgjuar një orë përpara… Dëgjoj se po përgatiteni për Kungimin e Parë. Në qendër të tij nuk është dreka, por vetë Jezusi. Pastaj, edhe dreka mund të jetë e mirë… Urime për të gjithë ju! Lutuni për mua, unë lutem për ju!”







All the contents on this site are copyrighted ©.