2009-03-28 18:07:51

Working Group në Strasburg merret me dinjitetin e njeriut


(28.03.2009 RV)RealAudioMP3 Në Strasburg me 25 mars nisi nga puna Working Group (Grupi i punës), i cili do të merret me shqyrtimin e problemit të dinjitetit të njeriut. Një nismë që ka lindur në Parlamentin evropian dhe që merret me të drejtat e njeriut, por që ka një synim tepër të veçantë: të debatojë mbi dinjitetin e njeriut duke e hedhur shikimin tek rrënjët e kësaj shprehjeje. Këtë objektiv na e sqaron vetë kryetari i parlamentit evropian Hans Gert Pëtering, i cili edhe përuroi punimet e Grupit të punës:


"Sigurisht që ka shumë këndvështrime përsa i përket konceptit të dinjitetit, thotë kryetari Hans Gert Pëtering. Anëtarët e këtij grupi mendojnë se qenia njerëzore ka dinjitet ngaqë është bërë simbas shëmbëlltyrës së Zotit. Unë vetë bëj pjesë ndër këta.”

Kur dëgjon se këtë ta thonë në zemër të Parlamentit evropian sigurisht që është fakt me peshë. Xhon Deva një eurodeputet i deklaruar si laik, ka qenë ai që ka pranuar se duhet të njohim haptas se instancat e drejtësisë dhe të paqes në kontinent bazohen tek koncepti i vëllazërimit, bir ky i Krishtërimit.
Rëndësinë e vendimeve që duhen marrë në çdo fushë të jetës europiane e nënvizoi edhe vetë Imzot Aldo Xhordano gjatë fjalës që mbajti pranë Grupit të punës, i cili edhe i përgëzoi pjesëmarrësit për nismën. Po çfarë kemi ne parasysh kur flasim për dinjitetin e njeriut? Këtë pyetje ia drejtuam Imzot Xhordanos:


Përgjigje: Një qenie njerëzore është tërësia e syve, e hundës, e kokës, e trupit. Ka rrezik që të marrim parasysh vetëm një aspekt të këtij njeriu, fjala vjen sikur të merrnim parasysh vetëm syrin dhe të bazoheshim tek ai, sikur syri të zmadhohej dhe ky të zinte pastaj të gjithë hapësirën e pjesa tjetër të mbetej tepër e vogël. [...]

Pyetje: Imzot Xhordano, në këtë kohe krize të thellë ekonomike flitet shumë edhe për krizën etike e kulturore. Në ç’mënyrë mund t’u shtojmë pak etikë të gjitha çështjeve e zgjidhjeve të tyre?


Përgjigje: Edhe këtu në Këshillin Europian, - e kam vënë re unë vetë, - se flitet për krizë financiare, për krizë ekonomike dhe se po kthehemi tek një fjalor me të cilin njihemi prej kohësh. Të gjithë themi sot se duhet të kthehemi tek morali, tek etika, të kthehemi tek përgjegjshmëria, të kthehemi tek besimi, tek solidariteti. Janë fjalë të traditës sonë. Ne si Kishë, për shembull e shohim krejt njerëzimin. Për ne është e vështirë të shohim vetëm një vend, apo vetëm Europën. Një komb, një popull, një kontinent ne e shohim gjithnjë të futur në kornizën e krejt botës. Kështu që e shohim gati si vetvetiu këtë kuadër botëror. Kjo ndoshta edhe pse Krishtërimi ka qenë gjithmonë global: Krishtërimi ka qenë gjithmonë një propozim i vlefshëm për të gjitha kontinentet, për të gjitha kulturat, për të gjitha racat. Mendoj se po qe se e ruajmë këtë përmasë të vëllazërimit universal atëherë, po, mund të japim një kontribut shumë konkret.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.