2009-03-28 17:26:17

Instrumentum Laboris per Sinodin e Afrikës. Me ne atë Gjulio Albanese


(28.02.2009 RV)RealAudioMP3 Javës që shkoi përfundoi udhëtimi XI apostolik i Papës Gjon Pali II në Afrikë. Ati i Shenjtë vizitoi dy vende të kontinentit, Kamerunin dhe Angolën, duke i dorëzuar Kishës, Instrumentum Laboris për Sinodin e ardhshëm të Afrikës, që do të zhvillohet në Vatikan, në tetorin e këtij viti.
Në çdo takim publik, Papa nënvizoi pikërisht temat e sinodit, foli për drejtësinë, pajtimin e paqen. Për to ka nevojë krejt bota, por Afrika në veçanti. Gjatë vizitës, Papa tregoi vëmendje të madhe për të plagosurit nga minat në Angolë, për refugjatët, të shpërngulurit e për popullsitë, të cilave u mohohet zhvillimi. Lavdëroi dhe inkurajoi nismat e pajtimit dhe i bëri thirrje botës të tregojë solidaritet më të madh për Afrikën.
Pikërisht mbi Instrumentum Laboris të Sinodit për Afrikën, të dëgjojmë mendimin e atë Gjulio Albanese, misionar kombonian, drejtor i revistës kishtare “Popuj e Misione”, i cili e ka ndjekur Papën në udhëtimin e tij në Afrikë:
Sipas meje, kemi të bëjmë me një mjet shumë të rëndësishëm, pasi me të vërtetë, arrin të bashkojë përshpirtërinë e krishterë me problemet e jetës reale të njerëzve. Papa nënvizon qartë se ndryshimet e vërteta, para se të bëhen në shoqëri, duhet të realizohen në bashkësinë e krishterë. Është bashkësia e krishterë, që duke metabolizuar Ungjillin, përmes inkulturimit, bëhet më pas kripa e tokës e drita e botës.
Nga dokumenti i punës del në pah gjallëria e madhe e Kishës në Afrikë…
Sigurisht, mjafton të reflektojmë mbi dëshminë e jashtëzakonshme si të klerit lokal, ashtu edhe të shumë rregulltarëve e misionarëve që, gjatë këtyre viteve, sidomos në disa skenarë të përgjakshëm, janë bërë me të vërtetë një lloj force ndërmjetësuese paqtore mes grupimeve të kundërta. Pak rëndësi ka që kjo ka ndodhur në një kontekst lufte, apo në mesin e barakave në periferi të këtij ose të atij kryeqyteti. Kisha nuk ka vënë në zbatim vetëm solidaritetin, por ka promovuar edhe susidiaritetin, pra sensin e përgjegjësisë së përbashkët, që duhet eksperimentuar nga besimtarët.
Dokumenti denoncon me forcë fuqitë ndërkombëtare që duan ta shfrytëzojnë Afrikën…
Perceptimi i ipeshkvijve afrikanë, por edhe i shumë misionarëve, është se fatkeqësisht Afrika përfaqëson edhe sot një kafshatë të shijshme. Është një kontinent që lundron mbi naftë, me burime të jashtëzakonshme minerare. Mesazhi që vjen nga Instrumentum Laboris është se Afrikat – parapëlqej të flas në shumës, sepse kontinenti është tri herë më i madh se Evropa – nuk janë të varfëra, siç thotë dikush, por varfërohen. Afrikat nuk kërkojnë lëmoshë, por drejtësi. Thuhet “të ndihmojmë Afrikat të dalin nga nënzhvillimi”, por problemi i vërtetë është se paratë shkojnë më tepër nga Afrikat drejt veriut të botës, se sa anasjelltas.
Kisha impenjohet për drejtësinë e paqen, përkrah të varfërve, por Instrumentum Laboris denoncon se ajo sulmohet nga të gjitha anët. Kush dëshiron t’ia mbyllë asaj gojën?
Të themi se prania e bashkësive të krishtera në kontinent, shpesh është prani e pavolitshme. Për ç’arësye? Pasi këto bashkësi mbështesin njerëzit e nuk rreshtohen me këtë apo me atë pushtet. Në këtë fushë, tregohet kujdes i madh, pikërisht se kjo është pjesë përbërëse e magjisterit shoqëror të Kishës për të drejtat e njeriut, të krijuar në ngjashmëri e shembëlltyrë me Zotin. Meqë shpesh, rregullat e lojës vendosen nga oligarkitë lokale, nga interesat e pjesshme të lidhura sidomos me lëndët e para, ja që prania e rregulltarëve dhe e misionarëve në kontekste të caktuara gjeostrategjike shihet me dyshim e shpesh kjo ka shkaktuar madje martirizime.
Instrumentum Laboris ka për qëllim t’i japë shpresë Afrikës…
Po, shpresë, që po ta mendojmë mirë është optimizmi i Zotit. Me një fjalë, të kuptojmë se megjithë problemet, Afrika duhet ta shohë të ardhmen me shpresë, sepse historia e kontinetit është gjithsesi histori shpëtimi. Nëse mungon kjo perspektivë teologale, kjo perspektivë ungjillore, nuk shkojmë asgjëkundi. Gjestet e bamirësisë së bashkësisë së krishterë janë vërtet shenja shprese, që përvijojnë një të ardhme më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.