2009-03-28 17:28:20

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Dy engjëj për Afrikën”


(28.03.2009 RV)RealAudioMP3 Bashkësia e krishterë nuk i harron dy vajzat që humbën dramatikisht jetën, një javë më parë, ndërsa po përpiqeshin të hynin në Stadiumin e kryeqytetit të Angolës, ku të rinjtë u takuan me Papën Benedikti XVI. Një delegacion i Vatikanit shkoi në spitalin ku u dërguan trupat e vajzave. Të dëgjojmë reflektimin e drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardit:


“Pashë vetëm fytyrat e tyre të ëmbla e të rregullta, dukej sikur po flinin të qeta, mbështjellë në çarçafë të bardhë në një sallë të madhe bosh të Spitalit Maria Pia. Sa mijëra fytyra të gëzuara vajzash në festë admiruam rrugëve të Luandës ato ditë! Me siguri, ishin edhe ato mes tyre. Selinë, 22 vjeç, dhe Ana, 21, humbën jetën të shtyra ose të shtypura nga turma në portën n.4 të Sadiumit dos Kokeiros, ku donin të merrnin pjesë në festën e madhe të të rinjve me Papën. Katekiste e para, anëtare e një grupi vokacional e dyta, e përfunduan rrugën e tyre tokësore të fesë e të impenjimit në një mënyrë të dhunshme e të papritur, por tani, do t’i shoqërojnë në një mënyrë të re miqtë dhe mikeshat e tyre, rininë afrikane të etur për shpresë dhe ideale.
Qindra mijëra skautët, djem e vajza, që bashkëpunonin bujarisht për suksesin e vizitës së Papës, gratë e lëvizjeve katolike, të vetëdijshme për rolin e tyre qendror në jetën e Kishës e të shoqërisë afrikane, katekistet e katekistët, e shumë të tjerë të impenjuar si ata, janë me të vërtetë shenja konkrete të asaj shprese të Afrikës e për Afrikën, për të cilën Papa foli shpesh në Kamerun dhe Angolë. Mund dhe duhet të mbështetemi te këto forca, që Kisha në Afrikë t’i shërbejë me të vërtetë pajtimit, drejtësisë e paqes, jo me fjalë, por me vepra. Për t’i hapur rrugët e së ardhmes një kontinenti të martirizuar, ç’është me e nevojshme se një rini që di të besojë, dojë e shpresojë? Faleminderit Selinë e Ana që erdhët me ne në takimin e të rinjve me Papën. Nuk do t’ju harrojmë! Do të na shoqëroni akoma si engjëj përgjatë rrugës drejt së ardhmes të Afrikës!”







All the contents on this site are copyrighted ©.