2009-03-27 17:05:31

Predikimi i tretë i Kreshmëve. Atë Kantalamesa Papës dhe Kuries Romake: “lëshojeni veten në dorën e Shpirtit të Shenjtë”


(27.03.2009 RV)RealAudioMP3 Atë Raniero Kantalamesa mbajti sot paradite predikimin e tretë të Kreshmëve për Kurien Romake, në praninë e Papës Benedikti XVI, në Kapelën Redemptoris Mater në Vatikan. Ai u përqëndrua në temën e Shpirtit të Shenjtë si udhëheqje e brendshme, duke marrë si shembull Shën Palin Apostull:
“Për të – tha atë Kantalamesa – Shpirti i Shenjtë nuk është vetëm “mësuesi i brendshëm”; është parimi i jetës së re (ata që udhëhiqen prej Tij bëhen bij të Zotit!); nuk kufizohet të na tregojë se ç’duhet të bëjmë, por na jep edhe aftësitë për të zbatuar urdhërin e Tij”.
Shpirti i Shenjtë, vazhdoi frati kapuçin, na udhëheq jo vetëm kur duhet të marrim vendime të mëdha e të rëndësishme, por edhe në gjërat e vogla të jetës:
“Pali e Timoteu duan të predikojnë Ungjillin në Azi, por “Shpirti i Shenjtë ua ndalon”… Kuptohet më vonë pseja e këtij urdhëri të prerë: Shpirti i Shenjtë e shtynte kështu Kishën e sapolindur të dilte nga Azia dhe të shihte drejt kontinentit të ri, drejt Evropës”.
Shpirti i Shenjtë i flet ndërgjegjes së çdo njeriu, besimtar ose jo, duke i dhënë frymëzimin, ndriçimin e brendshëm. E në këtë mënyrë, personat…
“…Shtyhen të ndjekin të mirën e t’i largohen së keqes… E pikërisht duke u bazuar në këtë aspekt etik të personit, shkencëtarë e biologë të famshëm bashkëkohorë kanë shkuar përtej teorisë, që e konsideron njeriun si rezultatin e rastësishëm të seleksionimit të llojit. Nëse ligji që qeveris evolucionin është vetëm lufta për ekzistencën e më të fortit, si shpjegohen aktet e altruizmit të sinqertë e madje edhe të flijimit të vetvetes për kauzën e së vërtetës e të drejtësisë?”
Atë Kantalamesa foli pastaj për dy mënyra për ta dëshmuar veprimin e Shpirtit të Shenjtë: atë të brendshme dhe atë të jashtme. Këto dy përmasa duhen bashkuar. Në fakt, vuri në dukje frati kapuçin, kur lihet mënjanë përmasa e brendshme, njerëzit bien lehtë në autoritarizëm, ndërsa kur nuk mbahet parasysh ajo e jashtme, apostolike, bihet lehtë në subjektivizëm dhe fanatizëm:
“Kur çdo gjë reduktohet vetëm në dëgjimin personal, privat, të zërit të Shpirtit Shenjt, i hapet rruga një procesi të pandalshëm ndarjesh e nënndarjesh, pasi secili mendon se ka të drejtë. Vetë ndarja e shumëfishimi i sekteve, shpesh në kontradiktë ndërmjet tyre në pika thelbësore, tregon se nuk është i njëjti Shpirt i Zotit që u flet të gjithëve, pasi përndryshe Ai do të ishte në kontradiktë me vetveten. Ky dihet se është rreziku që kalon sidomos bota protestante, e cila e konsideron përmasën e brendshme të Shpirtit të Shenjtë si kriter i vetëm i së vërtetës, kundër çdo përmase të jashtme, kishtare, përveçse asaj të Fjalës së shkruar”.
Pastaj, me arritjen e racionalizmit, shtoi atë Kantalamesa, Shpirti i Shenjtë fillon e konsiderohet njëlloj me shpirtin e njeriut. Por edhe mbivlerësimi i përmasës së jashtme të veprimit të Shpirtit të Shenjtë është i rrezikshëm, pasi do ta reduktonte udhëheqjen e Kishës vetëm përmes magjisterit të saj zyrtar, duke mohuar shumëllojshmërinë e karizmave, edhe individuale:
“Në këtë rast, mbizotëron lehtë elementi njerëzor, organizativ dhe institucional; favorizohet pasiviteti dhe i hapet porta mënjanimit të laikëve dhe klerikalizimit të tepërt të Kishës. Si gjithnjë, edhe në këtë rast, duhet të gjejmë sintezën e dy përmasave, që është kriteri me të vërtetë “katolik”. Ideale do të ishte harmonia e shëndoshë ndërmjet asaj që Shpirti i Shenjtë më thotë mua veçanërisht, asaj që i thotë Kishës si bashkësi e nëpërmjet Kishës, personave”.
Në fund, atë Kantalamesa mori si shembull shën Palin Apostull, për të treguar se si duhen ndjekur këshillat e Shpirtit të Shenjtë, këtij zëri të fshehtë brenda nesh, që na fton të bëjmë vullnesën e Zotit. E për të na ndihmuar në marrjen e vendimeve, përmendi këshillën që Shën Bernardi i jepte një pape:
“Këshilla ishte kjo: nuk mund të dëgjosh gjithçka, të kuptosh gjithçka ndodh përreth teje. Atëherë, rri para Zotit e paraqitja çështjen Hyjit. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë t’i japësh mundësi Zotit të ndërhyjë, sepse Zoti do e bën. Nëse nuk dëgjohet ndonjë zë i qartë që thotë “bëj kështu, bëj ashtu”, s’ka rëndësi: i ke dhënë Zotit mundësinë të ndërhyjë. Shembulli më i ndritur është pikërisht në jetën e Jezusit. Nëse lexojmë me vëmendje Ungjillin, shohim se Jezusi nuk bënte asgjë pa Shpirtin e Shenjtë. Kështu edhe ne, duhet t’i hapim veshët gjithnjë për ta dëgjuar zërin që na flet nga brenda. Nëse do të dimë ta dëgjojmë, do të na thotë gjithnjë çfarë i pëlqen Zotit në atë moment”.







All the contents on this site are copyrighted ©.