2009-03-27 17:00:50

Papa takohet me presidentin e Qipros: në qendër të bisedimeve, kushtet e kishave të krishtera në veri të ishullit, bisedimet për paqen dhe Afrika


(27.03.2009 RV)RealAudioMP3 Paqja, Afrika dhe kushtet e kishave të krishtera në veriun e Qipros ishin temat në qendër të audiencës së Benediktit XVI me presidentin e Republikës qipriote, Demetris Kristofias. Sipas notës së Sallës së Shtypit të Vatikanit, të dy uruan që negociatat ndërmjet palës turke dhe asaj greke të ishullit të çojnë në zgjidhjen e problemit qipriot.
Kujtojmë se ishulli është i ndarë më dysh, që nga viti 1974, pas pushtimit turk të pjesës veriore, për të mbrojtur popullsinë turke nga një puç shteti. Që nga viti 2004, pjesa greke e Qipros është anëtare e Bashkimit Evropian, ndërsa e ashtuquajtura republikë turko-qipriote njihet vetëm nga Ankaraja. Pikërisht për këtë, Turqia po has probleme të shumta në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për t’u theksuar edhe se katër vjet më parë greko-qipriotët votuan kundër idesë së bashkimit të ishullit, për të cilin turko-qipriotët ishin dakord.
Gjatë takimit të presidentit të Qipros me Papën u shkëmbyen ide edhe mbi gjendjen ndërkombëtare, sidomos përsa i përket kontinentit afrikan, dhe u nënvizua rëndësia e marrëdhënieve të mira ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Kristofias e informoi Atin e Shenjtë mbi gjendjen e kishave të krishtera në veri të vendit. Gjatë vizitës së tij në Romë, presidenti i Qipros do të nënshkruajë një marrëveshje me Bashkësinë e Shën Egjidit, me të cilën mbështetet programi DREAM, për kurimin e Sidës në Malaui dhe në Guinea Konakri në vitin 2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.