2009-03-27 18:05:12

Ndërroi jetë meshtari shembullor, don Millorad Defar.


(27.3.2009 RV)Dje më 26 mars, herët në mëngjes, në Podgoricë të Malit të Zi, në moshën 85 vjeçare, ndërroi jetë meshtari i dashur dom Millorad Defar. Dom Milla, siç njihet tek besimtarët katolikë shqiptarë dom Milloradi, qe me origjinë kroat, me zemër shqiptar, i tëri i zemrës së butë e të përvujtë të Jezu Krishtit. Dom Milla është figura e jashtëzakonshme e një meshtari të thjeshtë, të durueshëm, plotë dashuri e mirësi ndaj çdo personi, tërësisht i përkushtuar për kauzën e Ungjillit, për të cilën bëri aq shumë në vreshtin e Zotit, ndër shqiptarë. Jetën e tij, dom Milla e shpenzoi duke punuar me Ungjillin e Krishtit e për përhapjen dhe rrënjosjen e Lajmit të Mirë në zemra të shqiptarëve e të çdo njeriu.
Dom Milla që më 1950, kur ishte meshtar i ri, e nisi misionin meshtar duke filluar nga Gucia e Plava në kryeipeshkvinë e Tivarit në Mal të Zi, për të vijuar pastaj nga 1961e deri më 1989 në famullinë kishtare në Bishtazhin të Gjakovës, në Kosovë, ku në kohë shumë të vështira të regjimit komunist, krahas misionit ungjillëzues, ndërtoi një Kishë madhështore kushtuar Zojës Rruzare. Në vitet 1990 dom Milla shkoi në kryeipeshkvi të Shkodrës e pikërisht në famullinë kishtare të Bogës, mbi Shkodër, ku shërbeu me përkushtim e dashuri. Së fundi, i plakur e i sëmurë, kthehet në kryeipeshkvi të Tivarit në Mal të Zi, ku u pranua me dashuri e mirënjohje nga kryeipeshkvi imzot Zef Gashi. Qëndron pranë kryeipeshkvisë së Tivarit e pastaj pranë Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer në Podgoricë, ku në agim të ditës së djeshme mbylli sytë për këtë botë, për t’i hapur në Agimin e Jetës së vërtetë në Hyjin Atë. Pushoftë në Paqe. Ja nje fragment nga homelia qe dom Milla dha per Radio Vatikanit para shume vitesh...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.