2009-03-27 17:04:04

Meditimet e Udhës së Kryqit e marrin zërin nga Kisha indiane


(27.03.2009 RV)RealAudioMP3 Pas dy javësh, të Premten e Madhe, Kisha do të rijetojë një nga momentet qendrore të Vitit liturgjik. Si çdo vit, Papa Benedikti XVI do të kryesojë Udhën e Kryqit në Koloseumin e Romës. Meditimet e saj i janë besuar kësaj radhe, kryeipeshkvit indian të Guvahatit, imzot Tomas Menamparampil. Një shenjë e qartë vëllazërimi me besimtarët indianë, të cilët, sidomos në shtetin e Orisës, sprovohen nga dhuna e persekutimi. Të dëgjojmë vetë kryeipeshkvin në mikrofonin tonë:
Besoj se duhet të meditojmë mbi temën e së keqes në botë, kjo është temë shumë e rëndësishme për ne. Dhimbja, vuajtjet e ndryshme janë simbol i pranisë së Kryqit të Krishtit në jetën tonë. Duhet t'i pranojmë, sepse vuajtja ka forcë shëlbuese. Shkojmë gjithnjë te Kryqi për frymëzim, por edhe kur persekutohemi e kemi vështirësi, duhet të themi “Jezusi është me ne” e duhet të ecim përpara me Të e Kryqin e Tij.
Por cila është gjendja e të krishterëve sot në Indi, sidomos në shtetin e Orisës? Pyetëm kryeipeshkvin e dioqezës indiane të Nashikut, imzot Feliks Maçado:
Shumica është kthyer në shtëpi dhe gjendja është përmirësuar, por jam i shqetësuar për ata që kanë mbetur në kampet e refugjatëve. Kisha po aktivizohet për këtë. Për shembull, dje në dioqezën time, që është e varfër, një famulli ka grumbulluar të holla, të cilat m’i dhanë e më thanë: “Ne duam t'i ndihmojmë akoma këta vëllezër e këto motra tona të shkreta”. Kjo shenjë solidariteti ndërmjet kishave në Indi më pëlqen shumë. Të gjithë të krishterët në Indi janë pranë përmes solidaritetit dhe po mbështesin kishën e Orisës, e cila ka vuajtur shumë.







All the contents on this site are copyrighted ©.