2009-03-26 16:05:56

U bë i njohur programi i udhëtimit të Benediktit XVI në Tokën e Shenjtë


(26.03.2009 RV)RealAudioMP3 Salla e Shtypit të Vatikanit publikoi sot programin e udhëtimit të Papës Benedikti XVI në Tokën e Shenjtë, shtegtim, që do të bëhet nga 8 deri më 15 majin e ardhshëm. Ati i Shenjtë – siç ka thënë ai vetë në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 8 mars – do të vizitojë vendet e shenjtëruara nga kalimi i Jezu Krishtit, për t’i kërkuar Zotit “dhuratën e çmuar të bashkimit e paqes për Lindjen e Mesme e për gjithë njerëzimin”. Shtegtimi do të prekë Jordaninë, Izraelin dhe Territoret palestineze dhe dëshiron të kontribuojë në bashkëjetesën paqësore ndërmjet të krishterëve, hebrenjve dhe myslimanëve në zonë.
Benedikti XVI do të niset për në Jordani në paraditen e së premtes, 8 maj. Në kryeqytetin Aman, pas ceremonisë së mirëseardhjes, do të vizitojë qendrën “Regina Pacis” e më pas do të shkojë në Pallatin Mbretëror Al-Husenije për një vizitë kortezie te mbreti dhe mbretëresha e Jordanisë. Të shtunën, më 9 maj, do të largohet nga Amani për të vizituar Bazilikën e lashtë të Kujtesës mbi Malin Nebo, nga ku Moisiu pa Tokën e Premtuar, ndërsa në Madaba do të bekojë gurin e parë të Universitetit të Patriarkatit latin. Pasi të kthehet në Aman do të vizitojë Muzeumin Ashemit dhe Xhaminë Al-Husein Bin-Tatal, ku do të takohet me krerët fetarë myslimanë, me Trupin diplomatik dhe me rektorët e universiteteve jordaneze. Pasdite, kremtimi i lutjes mbrëmësore me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët dhe lëvizjet kishtare, në katedralen greko-melkite të Shën Gjergjit.
Të dielën, me datë 10, gjatë paradites, Mesha në Stadiumin ndërkombëtar të Amanit, dreka me patrikët dhe ipeshkvijtë e Vikariatit latin, ndërsa pasdite transferimi në Bethany beyond mbi lumin Jordan, për bekimin e gurëve të parë të kishës së latinëve dhe të asaj të greko-melkitëve, në vendin ku, sipas traditës, është pagëzuar Krishti. Të hënën paradite, më 11 maj, Papa niset nga Amani për në Izrael, në aeroportin ndërkombëtar të Tel-Avivit. Pasdite i bën një vizitë kortezie presidentit izraelit në Pallatin presidencial të Jeruzalemit, shkon në Memorialin e Jad Vashemit dhe takohet me organizatat për dialogun ndërfetar në Auditoriumin e Notre Dame në Jeruzalem Center.
Paraditja e së martës, më 12 maj, do t’i kushtohet dialogut ndërfetar: mbi Sheshin e Xhamive të Jeruzalemit, Papa do të vizitojë Kupolën e Shkëmbit dhe do të takohet me Myftiun e Madh. Vijohet me vizitën në Murin Perëndimor dhe me atë të kortezisë te dy Rabinët e Mëdhenj të Jeruzalemit. Benedikti XVI do të thotë Lutjen e Mbretëreshës Qiellore me ordinarët e Tokës së Shenjtë në Çenakullin e Jeruzalemit dhe do të vizitojë Konkatedralen e Latinëve. Pasdite, një takim i shkurtër me konsujt e përgjithshëm të Jeruzalemit në delegacionin apostolik dhe Mesha e Shenjtë në Josafat Valley të Qytetit të Shenjtë.
Më 13 maj, shtegtimi i Papës do të vazhdojë në Betlehem, në Territoret palestineze, me Meshën e Shenjtë në Sheshin e Grazhdit dhe me vizitën private në Shpellën ku lindi Krishti. Pasdite, pasi t’i bëjë një vizitë Spitalit të Fëmijëve të Karitasit dhe Kampit të refugjatëve “Aida”, Papa do të pritet nga presidenti i Autoritetit kombëtar palestinez, në Pallatin presidencial të Betlehemit. Më pas, Ati i Shenjtë do të kthehet në Jeruzalem e, të enjten do të shkojë në Nazaret, ku paradite, do të kremtojë Meshën e Shenjtë. Gjithashtu, do të takohet me kryeministrin izraelit në Kuvendin e françeskanëve, do të përshëndesë krerët fetarë të Galilesë dhe do të vizitojë Shpellën e Lajmërimit të Zotit. Të premten, më 15 maj, para se të niset për në Romë, takimi ekumenik në Sallën e Fronit të Selisë së Patriarkatit greko-ortodoks të Jeruzalemit, vizita në Varrin e Shenjtë dhe në Kishën patriarkale Armene apostolike të Shën Jakut, etapa e fundit e shtegtimit papnor në gjurmët e Jezu Krishtit.
E mbi atmosferën e pritjes për vizitën e Papës në Jordani, Izrael e Territoret palestineze, të dëgjojmë atë Pier Batista Picabalën, rojtar françeskan i Tokës Shenjte:
Jemi të sigurtë se do të vijë me ndjenja dialogu e paqeje, e sidomos me inkurajim të madh për bashkësinë e krishterë lokale.
Dialogu është i nevojshëm jo vetëm ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, por edhe ndërmjet të gjitha bashkësive fetare…
Sigurisht. Rregulltarët kanë një rol të rëndësishëm, por gjatë këtyre viteve të fundit janë përçarë tepër. Ka nevojë për më shumë bashkim e koordinim, për t’u thënë një fjalë të përbashkët të gjithëve, si lider fetarë. Në këtë kontekst, mendoj se vizita e Papës do të jetë një inkurajim i madh, një pikë e rëndësishme referimi. E presim me gëzim të madh. Përgatitjet janë frenetike, por mbizotëron edhe fryma e lutjes dhe e pritjes për fjalët që do të na thotë Ati i Shenjtë.
Benedikti XVI kthehet në vendet ku kanë qenë edhe Papa Pali VI e sidomos Gjon Pali II. Cilat janë kujtimet tuaja për këto vizita?
Kujtimi i vizitës së fundit të Gjon Palit II është akoma shumë i fortë, sidomos për shkak të gjesteve të tij. Por, të gjithë e dimë se vizita e Benediktit XVI do të ketë tjetër karakter, edhe pse janë të ndryshme rrethanat, kohët kanë ndryshuar, por do të ketë edhe aspekte të përbashkëta me të tjerat: së pari, vizita në vendet e shenjta dhe takimi me bashkësinë e krishterë.
Çfarë prisni nga ky shtegtim i Papës?
Toka e Shenjtë, gjatë këtyre viteve të fundit, ka parë shumë kriza, ngjarje dramatike, një Intifadë të dytë, operacionin e fundit në Gazë e të tjera, prandaj është plagosur rëndë. Ka akoma shumë probleme, shumë frikë, e vizita e Papës do të jetë një inkurajim i madh, një ftesë për të mos pasur frikë e për ta parë të ardhmen me shpresë e besim. Duhet të shpresojmë tek të rinjtë, tek shkollat, të formojmë brezin e ri që të mendojë ndryshe e sidomos të sfidojë, të guxojë, të ëndërrojë, në mënyrë që më pas të ndërtojë, kur të vijë koha, diçka të ndryshme nga ç’kanë bërë baballarët.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.