2009-03-26 16:15:08

Hilari Klinton akuzon Korenë e Veriut se po provokon Kombet e Bashkuara


(26.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Provokim që mund të ketë pasoja edhe në OKB”. Kështu e paralajmëroi dje Korenë e Veriut Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton e cila gjendet për një vizitë në Meksikë. Koreja e Veriut ka vendosur tashmë një raketë në shtratin e saj dhe është gati ta lëshojë. Udhëheqja politike e vendit është e gatshme të vazhdojë me zbatimin e programit. Pas një periudhe relativisht të qetë, siç shihet, Koreja po ndërmerr edhe njëherë rrugën e armatimit. Po si shpjegohet ky ndërrim i kursit? Në mikrofonin tonë flet Rosela Ideo, docente e Historisë Politike dhe Diplomatike të Azisë Lindore pranë Universitetit të Triestes:

Përgjigje: Kjo ndodh sepse Koreja e Veriut e ndjen veten përsëri të zënë ngushtë, ndihet e braktisur dhe në fakt, administrata Obama nuk e ka bërë ende të ditur politikën që do të ndjekë kundrejt Koresë. Siç e dimë Amerika po përjeton një periudhë krize ekonomike me përmasa të gjera dhe tani për tani, kjo është edhe përparësia e vërtetë e administratës Obama, ashtu sikurse për sa i përket politikës së jashtme është e qartë se Irani dhe gjendja në Lindje të Mesme kërkojnë një vëmendje të posaçme nga kjo administratë.

Pyetje: Ju porsa u kthyer nga Seuli, ku morët pjesë pikërisht në një simpozium kushtuar Koresë së Veriut. Ç’ klimë gjetët atje?

Përgjigje: Një shqetësim tepër të madh dhe ky shqetësim është sepse pritet një krizë humanitare shumë e afërt. Problemi kryesor i çështjes koreanoveriore nuk është se tani mungon ndihma në energji elektrike porse ky vend nuk ka një rrjet elektrik të mjaftueshëm për ta çuar energjinë në të gjithë vendin. Gjithnjë e më shpesh kryeqyteti Pjong Jang zhytet në errësirë dhe nuk ka sektor të ekonomisë që arrin t’i bëjë ballë asgjëje në një kohë kur mungesa e energjisë bëhet gjithmonë e më dramatike. Shqetësimi i të gjithëve në vend është pikërisht ai i një kolapsi të plotë, dhe si pasojë njerëzit kanë frikë se nga çasti në çast mund të kalojnë në një krizë humanitare si ajo e viteve ’90.







All the contents on this site are copyrighted ©.