2009-03-25 15:40:16

Një ngjarje e përvuajtur dhe e fshehtë, por vendimtare për njerëzimin: mësimi i Benediktit XVI për Misterin e Lajmërimit të Zotit.


(25.03.2009 RV)RealAudioMP3 Bie sot Solemniteti i Lajmërimit të Zojës së Bekuar, “mister i mrekullueshëm feje”, të cilit Benedikti XVI i ka kushtuar shumë reflektime, që në hapat e para të papnisë së tij. Një ngjarje “ e përvuajtur dhe e fshehtë”, ka thënë Papa, “por njëkohësisht vendimtare për historinë e njerëzimit”. Me përgjigjen pozitive të Virgjërës Mari pas lajmërimit të Engjëllit, nënvizon Shenjtëria e Tij, fillon epoka e re e historisë, që me Pashkët sanksionohet si “Besëlidhja e re dhe e amshuar”. Por le të ndjekim hap pas hapi Papën Racinger…
Gëzimi i Lajmërimit të Zotit, që e ndryshon njerëzimin përgjithmonë: në vizitën e tij të parë në një famulli të Romës, më 18 dhjetor 2005, Benedikti XVI ndalet me besimtarët te Misteri i Lajmërimit dhe shpjegon kuptimin e vërtetë të përshëndetjes, që Engjëlli i drejton Shën Marisë Virgjër, “Kaire Maria”:
“Do të thotë “gëzohu”. Vetëm me këtë dialog të Engjëllit me Marinë fillon me të vërtetë Besëlidhja e Re. Prandaj mund të themi se fjala e parë e Besëlidhjes së Re është “gëzohu”, “gëzim”.
Engjëlli, kujton Papa, e fton shën Marinë të mos ketë frikë e t’ia besojë krejtësisht veten Zotit:
“Maria i thotë “po” vullnetit të madh, në dukje tepër të madh, për një njeri. Atë “po”, që nganjëherë duket kaq e vështirë. Pasi duam të parapëlqejmë veç vullnetin tonë”.
Zoja bëhet kështu një shembull për të gjithë ne. Na tregon gëzimin, që rrjedh nga plotësimi i vullnetit të Atit të Gjithpushtetshëm:
“Fillimisht, duket si një peshë e padurueshme, një zgjedhë që s’mbahet, por në të vërtetë, vullneti i Zotit nuk është i rëndë. Vullneti i Zotit na jep krahë për të fluturuar lart”.
Më 31 majin e vitit të kaluar, në përfundim të muajit kushtuar Zojës së Bekuar, Papa i kthehet edhe një herë Misterit të ngjarjes në shtëpinë e përvuajtur të Nazaretit:
“Të imagjinojmë gjendjen shpirtërore të Virgjërës pas Lajmërimit të Zotit, kur Engjëlli u largua prej Saj. Maria kishte një mister të madh në kraharor; e dinte se i kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, unike; e kuptonte se kishte filluar kapitulli i fundit i historisë së shpëtimit të botës”.
Përgjigjia pozitive e Marisë, reflektonte Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot më 25 mars 2007, është “pasqyrimi i përsosur i përgjigjes së vetë Krishtit, kur hyri në botë”:
“Bindja e Birit pasqyrohet në bindjen e Nënës e kështu, për hir të takimit të këtyre dy “po”-ve, Zoti mundi të marrë fytyrën e njeriut. Ja përse Lajmërimi i Zotit është edhe një festë kristologjike, pasi kremton misterin qendror të Krishtit: Mishërimin e tij”.
“Ja ku jam, jam shërbëtorja e Zotit, të bëhet në mua si thotë Fjala jote”, i përgjigjet shën Maria Engjëllit. Fryti i kësaj përgjigjeje, nënvizon Benedikti XVI, është i pranishëm në jetën e Kishës:
“Përgjigjia e Shën Marisë drejtuar Engjëllit vazhdon në Kishë, e cila është e thirrur ta bëjë të pranishëm Krishtin në histori, duke ofruar gatishmërinë e vet që Zoti të vazhdojë ta vizitojë njerëzimin me mëshirën e Tij”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.