2009-03-25 15:34:21

Motër Meri Prema, eprorja e re e Misionareve të Bamirësisë, 12 vjet pas vdekjes së Nënë Terezës


(25.03.2009 RV)Motrat e Nënë Terezës, së Lumes së njohur shqiptare, kanë që dje një eprore të re. Ajo është motër Meri Prema dhe është e dyta në krye të kongregatës, që pas vdekjes së bamirëses Ganxhe Bojaxhiu në vitin 1997. Motër Nirmala Joshi, e cila i ka udhëhequr deri tani Motrat e Dashurisë, ka kërkuar që të largohet nga detyra për t’iu kushtuar krejtësisht jetës kundruese në konkregatë.
Lajmi i zgjedhjes së motër Meri Premës u dha nga zëdhënësja e rregulltareve, motër Kristi, në ditën e parafundit të asamblesë së përgjithshme të motrave, e cila filloi më 1 shkurt në shtëpinë amë të urdhërit, 30 km larg Kalkutës.
Misionaret e Bamirësisë propozuan motër Nirmalën për një mandat të tretë në krye të kongregatës, por rregulltarja nuk e pranoi detyrën për arësye shëndetësore, me dëshirën për t’iu kushtuar krejtësisht jetës kundruese. Kujtojmë se zgjedhja e saj për të tretën herë kërkonte miratimin e Papës, pasi rregulla e Urdhërit lejon vetëm dy mandate 6-vjeçare.
Nga 136 murgeshat që morën pjesë në kapitullin e përgjithshëm, vetëm 74 janë me origjinë indiane, ndërsa të tjerat vijnë nga vende të ndryshme, ku është e pranishme kongregata. E eprorja e re, motër Meri Prema, është nga Gjermania. Ajo do të ndihmohet në detyrën e saj nga një asistente, motër Jozefa, e cila do të jetë edhe këshilltarja e parë e kongregatës. Sëbashku me të, këtë detyrë do ta kryejnë edhe tri motra të tjera: motër Joana, motër Adriana e Motër Jozef Maria.








All the contents on this site are copyrighted ©.