2009-03-25 15:42:41

Ipeshkvijtë e Kamerunit: afrikanët e kuptuan mirë mesazhin e Papës, mediat perëndimore jo.


(25.03.2009 RV)Shembull i informacionit të keq, që u përpoq të errësojë domethënien e vërtetë të udhëtimit të Papës në Afrikë: kështu denoncojnë ipeshkvijtë e Kamerunit në një komunikatë, që u referohet polemikave të botës perëndimore mbi fjalët e Benediktit XVI për përdorimin e prezervativit në luftën kundër Sidës.
Shtypi perëndimor, shkruajnë ipeshkvijtë, i ka lënë mënjanë aspektet thelbësore të mesazhit të Papës në Afrikë, i cili foli për varfërinë, pajtimin, drejtësinë e paqen. E as u kujtua për përpjekjet e jashtëzakonshme të Kishës afrikane për të zhdukur sëmundjen e Sidës. Një impenjim, që gjen shprehjen e vet në shumë struktura katolike, të cilat u japin asistencë morale, mjekësore e shpirtërore të sëmurëve nga Sida.
Nga ana tjetër, theksojnë ipeshkvijtë, atë që nuk e kuptuan mediat perëndimore, e kuptuan mirë kamerunezët, të cilët e pritën Atin e Shenjtë me gëzim e entuziazëm. Besimtarët afrikanë e dinë mirë se Papa “e ka njeriun në qendër të shqetësimeve të tij dhe u referohet mësimeve të Krishtit”. Kisha i lejon secilit të vlerësojë dinjitetin e vet, si bir i Zotit. Edhe në kurimin e të sëmurëve nga Sida, Kisha Katolike sjell një këndvështrim të ri mbi njeriun e mbi botën, përfundojnë ipeshkvijtë e Kamerunit.







All the contents on this site are copyrighted ©.