2009-03-24 16:41:40

Shpresa dhe realizmi dy tiparet që përshkuan udhëtimin e Atit të Shenjtë në Afrikë. Reflektim i Atë Federiko Lombardit.


(24.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Pata mundësi të takohesha me popujt që janë të lidhur me tradita të forta shpirtërore dhe që kanë dëshirë të arrijnë një mirëqenie të drejtë”: Kështu shkruan Benedikti XVI pas kthimit nga udhëtimi në kontinentin afrikan, në telegramin drejtuar presidentit të Republikës Italiane Xhorxho Napolitano. Nga ana e tij presidenti Napolitano në mesazhin dërguar Atit të Shenjtë e vë theksin tek “pasioni dhe vendosmëria” me të cilën Papa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të mbështetur “përpjekjet e vendeve afrikane” për një zhvillim “të bazuar tek promovimi i dinjitetit të individit dhe të refuzimit të prerë të çdo diskriminimi. Një ditë pas përfundimit të udhëtimit të Papës në Afrikë, drejtori i përgjithshëm i radios sonë Atë Lombardi u ndal tek aspektet më kryesore të vizitës së Papës në Kamerun dhe në Angolë. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Unë do të flisja për realizëm dhe shpresë, sepse Papa e vështroi realitetin afrikan në një mënyrë shumë konkrete, vuri në dukje të gjitha problemet e mëdha të tij, por edhe bëri thirrje për të vështruar drejt së ardhmes nga një këndvështrim i krishterë. Natyrisht ky mesazh shprese vlen për të gjithë të krishterët në të gjithë botën, por për Afrikën mundet që këto fjalë të kenë një domethënie të veçantë, pikërisht sepse ne i shohim dhe e dimë se problemet janë shumë dramatike. Prandaj edhe ftesa për shpresë është veçanërisht urgjente dhe me të drejtë Papa përmendi vlerat e mëdha të këtij virtyti të lartë për të gjithë të krishterët në këtë kontinent.

Pyetje: Gratë e të rinjtë janë padyshim protagonistët e së ardhmes në Afrikë. Atyre Papa u kushtoi ndoshta edhe çastet më të bukura të këtij shtegtimi. Diçka më tepër në lidhje me këtë...

Përgjigje: Është e vërtetë. Takimi me të rinjtë është disi traditë e udhëtimeve papnore, ndërsa ai me gratë është më pak i zakonshëm. Ndonëse gratë kanë qenë gjithnjë të përfshira ndër elementët përbërës aktivë të Kishës, këtë herë u pa e udhës që një fjalim t’u drejtohej pikërisht atyre, që të nënvizohej vëmendja e veçantë ndaj tyre, të jenë të ndërgjegjshme për rolin e tyre themelor në lindjen dhe mbështetjen e jetës, si qendër e familjes, si qendër e shoqërisë, në një farë mënyre të bashkësisë që rritet e zgjerohet nëpërmjet dhantive, karizmës që gruaja ka për të ndihmuar mirëkuptimin, dialogun dhe pranimin e njëri-tjetrit.

Pyetje. Si e në ç’mënyrë kjo vizitë e Papës do ta ndihmojë Kishën afrikane për ta bërë më frytdhënës Sinodin, që do të mbahet në tetor?

Përgjigje: Mendoj se u veprua mirë që udhëtimi i Papës në Afrikë u zhvillua përpara Sinodit për të paraqitur edhe Instrumentum laboris – planin e punës të parashikuar për Sinodin e ardhshëm, sepse kjo gjë i jep një shtytje të madhe përgatitjes së Sinodit; vë në dukje se Papa dhe Kisha janë shumë të interesuar për këtë ngjarje, e ndjekin, duan të marrin pjesë në të, e shoqërojnë me lutjet e tyre. Tani Instrumentum Laboris është gati. Është si një kornizë e madhe brenda së cilës mund të futen një sërë reflektimesh, kontributesh konkrete e hollësish, të cilat pastaj do të gjejnë hapësirë gjatë zhvillimit të Sinodit të tetorit.

Pyetje: Vizita e Benediktit XVI në Kamerun dhe në Angolë i ka bërë mirë Afrikës, por edhe Papa u kthye i përtërirë nga përqafimi i zjarrtë dhe entuziast i një Kishe të gjallë dhe dinamike. “Me vërtetë të bën të qeshësh miti se Kisha është e vetmuar” tha Ati i Shenjtë.

Përgjigje: Të bën të qeshësh, sigurisht, sepse ai e di sesa e mbushur është jeta e tij nga marrëdhëniet me të tjerët, nga marrëdhënie të rëndësishme, dëgjese, besimi dhe, prandaj edhe nuk mund të flasim për vetmi. E pamë edhe nga solidariteti që ipeshkvijtë treguan këto muajt e fundit. Pamë përqafimin dhe entuziazmin e popullsive të pafund. Prandaj Papa nuk e ndien veten të vetmuar as si drejtues të Kishës e as përsa i përket njerëzve me të cilët takohet.

Pyetje: Në Afrikë, udhëtimi i Papës u quajt një sukses i padiskutueshëm, një kontribut i rëndësishëm për të gjithë Afrikën, jo vetëm për katolikët. Në Perëndim, përkundrazi, shumë mjete informacioni janë ngurtësuar tek disa aspekte polemike. Po cilat qenë temat kryesore të këtij shtegtimi që dolën në plan në dytë nga mediat evropiane?

Përgjigje: Kam përshtypjen se ajo çka është e vështirë të kuptohet këtu në perëndim është mënyra sesi Kisha e sheh zhvillimin dhe përparimin e popujve. Duhet të nisemi pak edhe nga Populorum Progressio të Palit VI për ta kuptuar më mirë. Kisha ka një vizion të dinjitetit të njeriut, të çdo njeriu, të faktit se secili duhet të rritet me ndenjën e përgjegjësisë dhe të lirisë dhe se mbi këtë pastaj mund të ndërtohet një shoqëri me vlera bashkëjetese, në demokraci, në liri. Porse ky është një shtegtim i gjatë, një shtegtim i ndërlikuar, që përfshin shumë anë, por që niset nga bindja e thellë se çdo individ ka një vlerë të jashtëzakonshme përpara syve të Zotit dhe një dinjitet të madh, dhe se çdo individ është i thirrur nga Zoti për të marrë mbi vete përgjegjësitë e veta. Vështroja ndërsa kalonin përpara Papës këta qindra mijëra njerëz: nuk janë numra, nuk janë kafshë që mund të qeverisen me dhunë apo me masa thjeshtë ekonomike apo policore, apo të ndonjë lloji tjetër. Janë njerëz. Secili prej tyre është një shëmbëlltyrë pas së cilës Kisha sheh një njeri që ka një dinjitet të pafund dhe që është i thirrur të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë dhe të rritet në të njëjtën kohë. Kjo më duket se është ajo që mungoi në shumë nga diskutimet për të cilat dëgjuam të flitet kaq shumë këto ditë kur po shqyrtohej Afrika dhe e ardhmja e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.