(24.03.2009 RV)Të panumërta ndërhyrjet e Gjon Palit II për fatet e Kosovës
e të shqiptarëve të krahinës, sidomos në vitet 1998-99, në çaste më dramatike për
vendin e popullsinë. 8 mars 1998: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa
shpreh shqetësimin për situatën dramatike në Kosovë dhe lutet për popullsitë e munduara. 7
qershor 1998: – Papa i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë,
prej nga vijojnë të vijnë lajme që flasin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh –
thekson Papa – në Kosovë, opcionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund
të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve
paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. 9 gusht
1998: – në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj
posaçërisht për banorët e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë
të bëhen gjithnjë më dramatike”.
4 tetor 1998: - Gjatë lutjes të Engjëllit
të Tënzot, Papa i këshillon palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut, ndërsa
i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq, por të japë ndihmesën
e vet që vlerat si mirëkuptimi, respekti reciprok, falja e pajtimi t’i zënë vendin
dhunës e shkatërrimit.
9 nëntor 1998: - Selia e Shenjtë shpreh
shqetësimin e saj thellë për ndërhyrjen e mundshme të armatosur të Natos në Kosovë.
Imzot Tauran, Sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, kujton
fjalët e shqiptuara një të dielë më parë në Split nga Gjon Pali II, pikërisht për
gjendjen në Kosovë: “Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë sa më shpejt ndihmën e
vet Kosovës”.
25 dhjetor 1988: - Në natën e Krishtlindjes 1998
drama e Kosovës është sërisht në qëndër të vëmendjes së Papës. *** 3 janar
1999: - Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Gjon Pali II thekson dramën e Kosovës,
duke pohuar: “Drama e Kosovës, ku natën e Krishtlindjes pati ndeshje të reja të armatosura,
është përherë e pranishme në zemrën time”.
11 janar 1999: - Ati
i Shenjtë ndalet te situata në Kosovë gjatë takimit me Trupin Diplomatik akredituar
pranë Selsië së Shenjtë, për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri, duke theksuar: “Duhet
bërë ç’është e mundur për t’i ndihmuar kosovarët e serbët të ulen në tryezën e bisedimeve,
në mënyrë që t’i jepet sa më shpejt fund mosbesimit të armatosur, i cili paralizon
e vret”.
15 janar 1999: - Duke pritur në audiencë kryeministrin
e Shqipërisë, Pandeli Majko, Gjon Pali II u ndal tek domosdoshmëria për gjetjen e
rrugëzgjidhjes paqësore në Kosovë dhe tek gjendja e refugjatëve. Detyra kryesore
– u theksua – është të ndahen kundërshtarët e të çarmatoset agresori; e këtë duhet
ta bëjë ai që ka mundësi për ta bërë, dmth bashkësia ndërkombëtare. Pastaj, me afate
të mesme e të gjata, do të jetë e nevojshme të rivendoset “respektimi i marrëveshjeve”
e të ndihmohen serbët dhe shqiptarët të pajtohen”.
20 janar 1999:
- Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa bën thirrje për paqe në Kosovë.
21
janar 1999: - Ati I Shenjtë shtron për zgjidhje problemin e Kosovës në një telegram
drejtuar ipeshkvijve jugosllavë. Përballë ashpërsimit të krizës – shkruan – e ndjej
për detyrë t’u shpreh të gjithë njerëzve të munduar, afërsinë time atërore, ndërsa
u bëj thirrje sërisht udhëheqësve të jetës publike t’i japin fund spirales së dhunës
e të kërkojnë rrugën e dialogut ndërtimtar, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme
të çdo njeriu”.
11 shkurt 1999: - Në emër të Papës, kardinali
Angelo Sodano, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, bisedon me kryeministrin
italian, Massimo d’Alema, mbi krizën në Kosovë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
të lirisë fetare e të paqes në vend.
22 shkurt 1999: - publikohet
një Komunikatë e sallës së Shtypit të Vatikanit mbi qëndrimin e Selisë së Shenjtë,
përmes së cilës, pasi vihen në dukje ndërhyrjet e panumërta të Selisë Apostolike
dhe personalisht të Papës Gjon Pali II, urohet të gjindet akoma një rrugëzgjidhje
paqësore e afatgjatë që t’i japë fund konflktit.
21 mars 1999:
- Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Shenjtëria e Tij flet për situatën e tensionuar
në Kosovë dhe i fton besimtarët të luten për bashkësinë shqiptare, që ka përshkuar
një udhë të vërtetë kryqi e prandaj ka të drejtë të presë rrugëzgjidhje, që respektojnë
historinë dhe të drejtën e saj.
24 mars 1999: - Në audiencën e
përgjithshme Papa dënon sulmin ajror mbi Kosovë dhe i lutet Zotit për dhuratën e paqes
në Krahinë e në mbarë Evropën;
26 mars 1999: Në kapelën e Tij Private,
Gjon Pali II Lutet për paqen në Ballkan;
28 mars 1999: gjatë lutjes
së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit, Ati I Shenjtë ngre zërin duke theksuar
se është me popullin që vuan dhe u bën thirrje të gjithëve: Eshtë ora e paqes! Mbi
forcat e urrejtjes, duhet të ngadhënjejnë vëllazërimi e mirëkuptimi. Qofshin këto
gema ulliri simbol i paqes që e dëshirojnë aq shumë popullsitë e zonës ballkanike
– uron Papa. Fillon ndërkaq ndërmjetësia e Vatikanit për paqen në Kosovë. Më
31 mars 1999: - Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor
Cor Unum, organizëm i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë
ndihmat humanitare. Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson:
Fëmijëve, nënave, pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të
jetë përherë, derisa të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Tepër gjak e
tepër lot ka parë të rrjedhin kjo popullsi gjatë gjithë shekullit XX. Ndërsa më
1 prill 1999 dërgon Imzot Jean Louis Tauran, sekretar i Shtetit të Vatikanit
për marrëdhniet me shtetet, në Beograd, me një mesazh të posaçëm për Presidentin e
Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.
2 prill
1999: - Në përfundim të Udhës së Kryqit në Koloseo, të Premten e Madhe, Gjon Pali
II pohon: “I përbuzur e i dëbuar është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në
luftën e Kosovës dhe kudoqë ngadhënjen kultura e vdekjes”.
4 prill 1999:
- Në Mesazhin e Pashkëve, Papa kujton situatën në Kosovë, falënderon dhe uron të
gjithë ata që u qëndrojë pranë refugjatëve, duke i mirëpritur e duke i ndihmuar.
5
prill 1999: - Në të Hënën e Engjëllit, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore,
Gjon Pali II bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare në Kosovë, ku – siç shprehet - këmbanat
nuk kanë rënë për festë e ku vijon shkatërrimi, shpërngulja e vdekja.
9 prill 1999: - Ati i Shenjtë u bën thirrje autoriteteve të Republikës Federale
të Jugosllavisë të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësitë
të arrijnë ndihmat në kufirin e Kosovës, ku qenë grumbullar masa të mëdha kosovarësh.
Për solidaritetin nuk ka kufij – thekson Papa – por duhet të ketë gjithnjë koridore
shprese.
11 prill 1999: - Duke uruar besimtarët ortodoksë me rastin
e Pashkëve, Shenjtëria e Tij kujton se në ato ditë sytë e besimtarëve ishin plot
me vdekje, prandaj bën thirrje që të heshtin armët e të rifillojë dialogu.
18
prill 1999 – Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa përsërit thirrjen
për paqe në Kosovë e në Jugosllavi.
22 prill 1999: - Duke pritur
në audiencë Fondacionin Gorbaçov, Ati i Shenjtë rikujton nevojën për ndërhyrje në
favor të paqes në Kosovë, sepse situata e luftës rrezikon të destabilizojë gjithë
Ballkanin.
27 prill 1999: - Në një letër personale drejtuar Sekretarit
të Përgjithshëm të OKB-së, Papa shkruan: “Selia e Shenjtë e vlerëson shumë faktin
që Organizata të luajë rolin kryesor në zgjidhjen e një krize në të cilën është përfshirë
mbarë bashkësia ndërkombëtare. Eshtë urgjente që zëri i ligjit dhe i institucioneve
të mos shuhet nga zëri i armëve.
2 maj 1999: gjatë Lutjes së Mbretëreshës
Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për stabilizimin e situatës në Ballkan.
10
qershor 1999: - Publikohet një Deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit mbi
tërheqjen e serbëve nga Kosova, nënshkruar në Kumanovë nga gjeneralët e Natos e të
Beogradit. Kjo Deklaratë shënon edhe përfundimin e konfliktit.
4 tetor
1999: Gjatë vizitës në Kroaci, Papa i përshëndetë në gjuhën shqipe shqiptarët
që jetojnë në vendin ballkanik.
6 tetor 1999: - Në audiencën e përgjithshme
të së mërkurës në Vatikan, Gjon Pali II falënderon shtegtarët e gjuhës italiane për
sensibilizimin e opinionit publik lidhur me nevojat e popullsive të Kosovës, të sprovuara
rëndë nga konflikti.