2009-03-24 16:44:41

10 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë


(24.03.2009 RV)Bie sot 10-vjetori i fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në mbrojtje të popullsisë kosovare nga dhuna serbe. Dhjetë vjet pas luftës së përgjakshme, që shkaktoi viktima e refugjatë, la njerëzit pa shtëpi e i detyroi të emigronin, Kosova përpiqet të bëjë një bilanc. Aspiratat e popullit të saj shqiptar u plotësuan me shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vjetshëm e me njohjen e gjithnjë e më tepër vendeve, që aktualisht kanë arritur numrin 56. Por, a u mbyllën plagët e luftës? A janë të kënaqur kosovarët me shoqërinë, që po ndërtohet aktualisht në Kosovë?
Në fjalimin e sivjetëm drejtuar Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, Papa Benedikti XVI, mes tjerash, kujtoi edhe Ballkanin e, në mënyrë të posaçme, Kosovën. “Selia e Shenjtë është e impenjuar për stabilitetin në jug lindje të Evropës e shpreson që të vijohet me krijimin e kushteve për një të ardhme në pajtim e paqe ndërmjet popullsive të Serbisë e të Kosovës, duke respektuar pakicat e pa harruar mbrojtjen e trashëgimisë së çmuar artistike e kulturore kristiane, që përbën pasuri për mbarë njerëzimin”.
Ky do të ishte programmi për të ardhmen e vendit, sot tepër i zënë në kujtimin e genocidit të pësuar e në evokimin e trimërive të UÇK-së. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se populli kosovar do t’u jetë gjithmonë mirënjohës amerikanëve, evropianëve, vendeve të tjera të NATO-s, të cilat dëgjuan thirrjen e familjeve për ndihmë dhe ndërhynë. Nga të gjitha anët, theksohet se në Kosovën e re nuk do të ketë vend për urrejtje dhe dhunë. Se cilat ishin aktivitetet e sotme, na njofton Rabije Ibraj nga Pristina RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.