Përfundoi udhëtimi i Papës Benedikti XVI në Afrikë. Për t’i dhënë shpresë kontinentit,
sfida e parë është solidariteti, theksoi Ati i Shenjtë.
(23.03.2009 RV)Udhëtimi i Papës
Benedikti XVI në Afrikë përfundoi. Sot paradite, ceremonia e lamtumirës në aeroportin
e Luandës në Angolë. Ati i Shenjtë tha se gjeti një Kishë të gjallë, pavarësisht nga
vështirësitë, që vazhdon të shpallë se ka ardhur koha e shpresës. Papa bëri një thirrje
të re që përgjegjësit e politikës të punojnë për të realizuar aspiratat e drejta të
popullsive afrikane për paqe, ushqim e strehim. Në këtë kuptim, theksoi Benedikti
XVI, “sfida e parë që duhet përballuar është solidariteti”. Në orën 18.00 të ditës
së sotme, Papa mbërriti në aeroportin romak të Çampinos. Informacion i të dërguarit
të Radio Vatikanit në Luanda, Davide Dionizi: I trishtuar se po largohej
nga toka afrikane, por i kënaqur, pasi njohu një popull të guximshëm dhe të vendosur
për të rilindur. Në ceremoninë e lamtumirës, në aeroportin ndërkombëtar 4 de Fevereiro
të Luandës, Benedikti XVI shprehu kështu, sot paradite, mirënjohjen dhe dashurinë
e tij për popullin agolan. Entuziazmi dhe ngrohtësia që karakterizuan tri ditët e
qëndrimit në kryeqytet lanë shenjë, e përgjigjia e Papës nuk vonoi. Duke bërë bilancin
e etapës së dytë të udhëtimit të njëmbëdhjetë apostolik ndërkombëtar, Papa vuri theksin
mbi efikasitetin e rolin e Kishës lokale, pavarësisht nga vështirësitë e pengesat
tipike të një vendi, që del nga vite lufte civile: “Estou grato
a Deus por ter encontrado… Falenderoj Zotin, që gjeta një Kishë
të gjallë e, pavarësisht nga vështirësitë, plot entuziazëm, që ka ditur të marrë mbi
shpatulla kryqin e vet e të të tjerëve, duke dëshmuar para të gjithëve forcën shpëtimprurëse
të mesazhit ungjillor. Ajo vazhdon të shpallë se mbërriti koha e shpresës, duke u
impenjuar në paqtimin e shpirtrave e duke promovuar atë bamirësi vëllazërore, që mirëpret
të gjithë, në respektin e ideve dhe të ndjenjave të secilit”. Para
se të largohej nga Luanda e të përshëndeste popullin angolan, Ati i Shenjtë i drejtoi
edhe një thirrje tjetër presidentit të Republikës, Hosé Eduardo Dos Santos, si edhe
autoriteteve politike e civile të pranishme, që të punojnë për të mirën e përbashkët
e për të mbështetur personat në vështirësi. Papa u tregoi rrugën e vetme, që mund
t’u japë përgjigje konkrete vëllezërve nevojtarë: atë të solidaritetit: “Se
me permitissem um apelo final… Nëse më lejohet të drejtoj këtu një
thirrje të fundit, do të doja të kërkoja që përmbushja e drejtë e aspiratave themelore
të popullsive më nevojtare të përbëjë shqetësimin kryesor të atyre që zënë poste publike,
pasi qëllimi i tyre – jam i sigurtë – është ai i realizimit të një misioni të marrë
përsipër jo për vete, por për të mirën e përbashkët. Zemra jonë nuk mund të ketë paqe
përderisa vëllezërit tanë të vuajnë për mungesë ushqimi, pune, shtëpie ose të mirash
të tjera themelore. Për t’u dhënë përgjigje konkrete këtyre vëllezërve, sfida e parë
që duhet fituar është ajo e solidaritetit: solidaritet ndërmjet brezave, solidaritet
ndërmjet kombeve e kontinenteve, nga i cili të burojë një ndarje gjithnjë e më e barabartë
e pasurive të tokës ndërmjet të gjithë njerëzve”. Një mesazh përfundimtar,
ky i Papës, që i drejtohet jo vetëm Angolës, por krejt kontinentit afrikan, edhe duke
pasur parasysh Asamblenë II të Veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar këtij kontinenti.
Një mesazh shprese edhe për ata që akoma vuajnë për shkak të luftrave e diskriminimeve: “Agora
peço a Deus que faça sentir… I lutem tani Zotit që të ndihet mbrojtja
dhe ndihma e tij për refugjatët e personat e panumërt jashtë atdheut, që enden në
pritje të kithimit në shtëpi”. Benedikti XVI i bëri thirrje në fund
popullit angolan që të ketë besim në forcat e veta e të vazhdojë të punojë për të
realizuar qytetërimin e dashurisë, përmes rrugës së faljes e të dialogut vëllazëror.
Prerogativa, këto, të dobishme për të favorizuar paqen dhe bashkëpunimin ndërmjet
popujve, mbi bazën e besnikërisë e të barazisë: “Irmãos e amigos
de África… Vëllezër e miq të Afrikës, të dashur angolanë, guxim!
Mos u lodhni së nxituri paqen, duke bërë gjeste faljeje e duke punuar për pajtimin
kombëtar, që kurrë dhuna të mos ngadhnjejë mbi dialogun, frika e shkurajimi mbi besimin,
mllefi mbi dashurinë vëllazërore. Zoti bekoftë Angolën!”.