Koment i atë Federiko Lombardit mbi Shtegtimin XI Apostolik të Benediktit XVI
(23.03.2009 RV)Në shenjën e shpresës,
pra, edhe ky udhëtim XI i Papës Benedikti XVI, që për herë të parë e çoi Atin e Shenjtë
në tokën afrikane, në Kamerun e Angola. Të dëgjojmë tani, komentin e drejtorit të
Sallës së Shtypit të Vatikanit e njëkohësisht drejtorit tonë të përgjithshëm, atë
Federiko Lombardi: Mikpritja për këtë udhëtim të parë të Benediktit XVI
në Afrikë ka qenë e shkëlqyer, ka qenë e madhe në të dyja vendet, dhe Papa u kënaq
shumë e mori guxim. Papa përballoi temat e mëdha të realitetit të sotëm afrikan: temën
e pajtimit, të paqes, të rindërtimit, të ndërtimit të demokracisë së vërtetë, të respektimit
të të drejtave të njeriut, të rrugëve për një zhvillim e përparim të vërtetë, të solidaritetit
ndërkombëtar me marrëdhëniet tregtare e politike, që duhet të ndihmojnë zhvillimin,
të frymëzohen nga barazia, drejtësia e ndershmëria, që nuk duhet të ushqejnë interesat
e veçanta apo korrupsionin. Ç’lloj trashëgimie lë në Afrikë Benedikti XVI?
Cili është mesazhi i tij? Papa lë një mesazh shprese të madhe. Iu drejtuar
forcave të gjalla të Kishës e forcave nga të cilat varet edhe e ardhmja e Kishës,
e do të thosha, edhe ajo e popullsisë afrikane në përgjithësi. Në këtë kuptim, kanë
qenë domethënëse takimet e veçanta dhe mesazhet për të rinjtë e gratë. Madje takimi
me gratë m’u duk diçka edhe më e veçantë e këtij udhëtimi të Benediktit XVI, për t’u
vënë veçanërisht në dukje. Ishte një intuitë e thellë dhe e rëndësishme ajo e vlerësimit
të gruas, në shoqëri e në Kishë, duke i njohur rolin qendror për zhvillimin e krejt
kontinentit. Papa Racinger u bëri thirrje afrikanëve të marrin në dorë
fatin e tyre… Reflektoja pikërisht këto ditë mbi faktin se Kisha ka një
vizion integral të zhvillimit njerëzor e shpirtëror, që është karakteristikë e saj,
që është një pikëpamje mbi zvillimin, bazuar në respektin e jashtëzakonshëm e në besimin
e madh tek njeriu, në besimin në dinjitetin e në mundësitë e tij. Ajo e vë theksin
pikërisht në vlerësimin e personit, të çdo personi, në përgjegjësitë e në aftësitë
e tij. Prej këndej, më pas ndërton një shoqëri të drejtë, të harmonishme, të aftë
edhe për të vlerësuar burimet natyrore që i janë dhënë, traditat, kontributet kulturore.
Më duket një këndvështrim krejt i ndryshëm nga ai që shpesh propozohet nga pushtetet
e mëdha, politike apo ekonomike, jashtë Afrikës, të cilat shpesh e vënë theksin në
kufizimin e lindjeve, edhe me mënyra që nuk e respektojnë natyrën njerëzore, ose në
operacionet e mëdha ekonomike e financiare, që vënë në duart e qeveritarëve burime
të jashtëzakonshme, të cilat shpesh shpërdorohen nëpër kanalet e korrupsionit. Një
bilanc përfundimtar për këtë eksperiencë të jashtëzakonshme… Më duket se
është arritur kënaqësi e ndërsjelltë. Siç është karakteristikë e tij, edhe në vitet
e mëparshme, Papa tha: “Kam ardhur për t’ju inkurajuar e për t’ju dhënë mbështetjen
time për problemet tuaja, por jam inkurajuar edhe unë nga dashuria, entuziazmi e nga
besimi juaj”. Mendoj se kjo ndodhi me të vërtetë edhe këtu në Afrikë e Papa punoi,
kreu shërbimin e vet edhe në mes të të nxehtit të madh, u impenjua deri në fund e
më duket se ka dhënë me të vërtetë kontributin e vet, duke pasur kënaqësinë të shohë
se u prit mirë e do të sjellë me siguri fryte të mëdha.