Fjalët e Papës Racinger në udhëtim me avion drejt Romës
(23.03.2009 RV)E ishte vetë Papa
Benedikti XVI, i cili në avionin që e solli sërish në Romë, bëri me gazetarët një
bilanc të shkurtër të udhëtimit të tij, përshkroi atë që e entuziazmoi dhe i bëri
më shumë përshtypje në tokën afrikane. Ta dëgjojmë: “Të dashur miq… Më kanë
mbetur në kujtesë sidomos dy përshtypje: nga njëra anë, kjo mirësjellje gati e tepruar,
ky gëzim, Afrika në festë, e më duket se tek Papa panë, të themi, personifikimin e
faktit se jemi bij e familje e Hyjit. Kjo familje ekziston e ne, me të gjitha kufizimet
tona, jemi të kësaj familjeje e Zoti është me ne. Kështu, prania e Papës, të themi,
ndihmoi që të ndihej kjo e të kishte me të vërtetë gëzim. E nga ana tjetër,
më ka bërë shumë përshtypje, mënyra e pjesëmarrjes në liturgji, sensi i fortë kishtar:
në liturgji nuk paraqiten grupet, apo nuk shoqërohet me këngë e valle si qëllim në
vetevete, por është prania e së shenjtes, e vetë Zotit; edhe lëvizjet ishin gjithnjë
lëvizje respekti dhe vetëdije për praninë hyjnore. Kjo më bëri përshtypje të madhe. Pastaj,
duhet të them se u preka thellësisht nga fakti se të shtunën mbrëma, në kaosin e formuar
para portës së stadiumit, humbën jetën dy vajza. U luta dhe lutem për to. Fatkeqësisht,
njëra akoma nuk është identifikuar. Kardinal Bertone e imzot Filoni vizituan nënën
e tjetrës, një grua e vejë, guximtare, me pesë fëmijë. E para është ajo që vdiq, ishte
katekiste. E ne të gjithë lutemi e shpresojmë që në të ardhmen gjërat të organizohen
në mënyrë që kjo të mos ndodhë më. Më pas, dy kujtime të tjera më kanë
mbetur në mend, një kujtim i veçantë – por ka shumë për të thënë – është Qendra Kardinal
Léger: më preku zemrën pamja e botës së vuajtjes së shumëfishtë, krejt vuajtja, trishtimi,
varfëria e ekzistencës njerëzore, por edhe bashkëpunimi i Kishës me shtetin për të
ndihmuar nevojtarët. Nga njëra anë, shteti administron në mënyrë shembullore këtë
Qendër të madhe, nga ana tjetër, lëvizjet kishtare e realitetet e Kishës bashkëpunojnë
për të ndihmuar me të vërtetë këta njerëz. Më duket se njeriu, duke ndihmuar të vuajturin,
bëhet më njeri, bota bëhet më njerëzore: kjo më mbetet e stampuar në kujtesë. Jo
vetëm shpërndamë Instrumentum Laboris për Sinodin, por edhe punuam për Sinodin. Në
mbrëmjen e ditës së shën Jozefit u mblodhëm me anëtarët e Këshillit për Sinodin –
12 ipeshkvij – e secili foli për situatën në Kishën e tij lokale, për propozimet,
aspiratat, e kështu, m’u krijua ideja e pasurisë së realitetit të Kishës në Afrikë,
si lëviz, si vuan, ç’bën, cilat janë shpresat, problemet. Mund të tregoj shumë, për
shembull, se Kisha e Afrikës së Jugut, që ka përjetuar një përvojë pajtimi të vështirë,
por të suksesshme, ndihmon tani përpjekjen për pajtim në Burundi e përpiqet të bëjë
diçka të ngjashme, edhe pse me vështirësi të jashtëzakonshme, në Zimbabve. E
së fundi, dua të falenderoj edhe një herë të gjithë ata që kanë kontribuar për suksesin
e këtij udhëtimi: pamë se ç’përgatitje e kishin paraprirë, si kishin bashkëpunuar
të gjithë. Dua të falenderoj autoritetet shtetërore, civile, të Kishës e të gjithë
personat që kanë bashkëpunuar. Më duket me të vërtetë se fjala “faleminderit” duhet
ta përmbyllë këtë aventurë e faleminderit edhe juve gazetarëve, për punën që keni
bërë e do të bëni. Udhë të mbarë të gjithëve. Faleminderit!”