2009-03-22 17:25:30

Në Engjëllin e Tënzot, Papa ua besoi lutjeve të angolezëve Asamblenë e Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën dhe u lut për paqe në zonën e Liqeneve të Mëdha.


(22.03.2009 RV)RealAudioMP3 Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa rikujtoi bindjen pa kusht të Marisë ndaj vullnetit të Hyjit. E përmes kësaj bindjeje plot besim të Virgjërës, Biri i Zotit erdhi në botë për të sjellë faljen, shëlbimin e jetën. Duke u bërë njeri si ne në gjithçka, përveç mëkatit, Krishti na mësoi dinjitetin dhe vlerën që ka çdo anëtar i familjes njerëzore. Vdiq për mëkatet tona, për të na mbledhur gjithë bashkë në familjen e Hyjit. Kështu u shpreh Papa e në vijim theksoi:
“Lutja jonë lartohet sot nga Angola, nga Afrika, e pushton mbarë botën. E burrat e gratë nga të katër anët e botës, që bashkojnë zërin në lutjen tonë, i sjellin sytë nga Afrika, nga ky Kontinent i madh, plot me shpresë, por ende i etur për drejtësi, për paqe, për zhvillim të shëndoshë të gjithanshëm, që uroj t’i sigurojë popullit të tij një ardhmëri me progres e paqe”.
Më pas Benedikti XVI u kërkoi gjithë besimtarëve të luten:
“Ia besoj lutjeve tuaja punën përgatitore për Asamblenë e Dytë të Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën”.
E uroj - vijoi Ati i Shenjtë – që katolikët e këtij Kontinenti, të frymëzuar nga besimi në Zotin e në premtimet e Jezu Krishtit, të bëhen gjithnjë më shumë tharm ungjillor shprese për gjithë njerëzit vullnetmirë, që e duan Afrikën, i kushtohen progresit material e shpirtëror të bijve të saj e përhapjes së paqes, të prosperitetit, të drejtësisë e të solidaritetit, në dobi të së mirës së përbashkët.
Benedikti XVI iu lut Zojës së Bekuar, Pajtore e Afrikës:
Virgjër Mari, Mbretëreshë e Paqes, vijo t’i prijsh popullit të Angolës në përpjekjen për pajtimin kombëtar, pas përvojës shkatrrimtare e çnjerëzore të luftës civile.
Këtu, në Afrikën e Jugut – vijoi Papa - t’i lutemi në mënyrë të posaçme Zojës së Bekuar të ndërmjetësojë pranë Zotit për paqen, shndërrimin e zemrave e përfundimin e konfliktit në zonën e afërme të Liqeneve të Mëdha. Uroj që Biri i saj, Princi i Paqes, t’i shërojë ata që vuajnë, t’i ngushëllojë ata që qajnë e t’u japë forcë të gjithë atyre, që çojnë përpara procesin e vështirë të dialogut, të bisedimeve e të përfundimit të dhunës”.
Pas lutjes së Engjëllit, Papa u rikthye në Nuciaturën Apostolike, ku kaloi drekën së bashku me grupin shoqërues.








All the contents on this site are copyrighted ©.