2009-03-21 16:00:48

“Afrika në udhë drejt Sinodit” – editorial i Atë Lombardit


(21.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Ishte takim i vërtetë, ky i Papës me Afrikën: përtej fjalimeve e ngjarjeve të veçanta, gjatë udhëve të Jaundesë, një turmë e pafundme fëmijësh, të rinjsh e pleqsh i tha Papës, në mënyrën e vet, me pjesëmarrjen plot entuziazëm në festime, se është i mirëpritur në Afrikë. Fëmijët brohorasin e vrapojnë, vajzat e gratë këndojnë e vallëzojnë, burrat trokasin duart.
Por pastaj janë të zotët edhe të dëgjojnë, të thelluar në lutje në Meshën e madhe në stadium, plot vëmendje për fjalët e një Bariu, që nisën ta duan vetvetiu: është “Mvamba i madh”, “Gjyshi i madh” i popullit afrikan, siç e quajti me dashuri Kryeipeshkvi i Jaundesë.Tani, Sinodi për Afrikën, ngjarja më e rëndësishme kishtare e këtij vitit, është vënë për udhë drejt Asamblesë romake të tetorit. Dokumenti i punës është në duart e ipeshkvijve, problemet e Kontinentit e të Kishës në Afrikë janë identifikuar e janë shtruar për diskutim.
Përballë konflikteve të ashpra, korrupsionit të pushtetarëve, pandemive, varfërisë e urisë, nuk mungojnë edhe aftësitë për dialog ndërmjet feve, përvojat pozitive të pajtimit, të dashurisë për jetën, të shpirtit krijues e të urtisë tradicionale. Motua e Sinodit është “Kisha në Afrikë, në shërbim të pajtimit, të drejtësisë e të paqes”. Jo vetëm ipeshkvijtë e kleri, por edhe shekullarët katolikë, mbarë populli, është i ftuar nga Papa të shikojë përpara plot shpresë!"







All the contents on this site are copyrighted ©.