Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Nikollin e Flúelit, Pajtor i Zvicrrës.
(21.03.2009 RV)I njohur edhe me emrin Vëllau Klaus, shenjti gëzon një popullaritet
të madh në Zvicërr, vend që e ka zgjedhur si Pajtor. Klausi lindi në vitin 1417
në Flueli, pranë Sachseln, në kantonin e Obwaldenit. Ndonëse që në moshë të njomë
ndjeu thirrjen për jetë eremite, kundër dëshirës së tij, iu desh të kryente disa
detyra të rëndësishme civile, si kryetar i bashkisë së Sachselnit, këshilltar i gjykatës
kantonale, deputet e ushtarak. Në vitin 1445 u martua me Dorotea Wyss; nga ky bashkim
i lindën pesë djem e pesë vajza: njëri nga djemtë u bë famullitari i Sachselnit, ndërsa
një nga nipat, vdiq si shenjt. Shumë shpejt, pa marrë parasysh kundërshtimet e
së shoqes, së cilës nuk i pëlqente dëshira e tij për jetë vetmitare, hyri në një bashkësi
rregulltare alsasiane që njihej me emrin “Miqtë e Zotit”. Më pas u tërhoq në Kristerli-Alp,
ku nisi një jetë shenjte. Ekzistojnë disa dëshmi, sipas të cilave shenjti për 19 vjet
me radhë u ushqye vetëm me Eukaristinë, gjë që ngjalli kureshtjen e të afërmve e të
largtëve. Atëherë ai u detyrua të gjente strehë në Ranft, pranë një humnere vetmitare.
Dilte nga shpella ku jetonte, vetëm për të shkuar në Meshë e për t’i ardhur në ndihmë
atdheut të vet, në çaste kritike. Kështu bëri në vitin 1473, kur Austria kërcënonte
fatet e Zvicrrës, pastaj më 1481 e 1482, kur u ndje rreziku i shpërthimit të luftës
civile. Me lutjet e tij, me praninë e tij, me këshillat, me paqën shpirtërore që rrezatonte
si rezultat i lëshimit të plotë në dorë të Zotit, ia doli mbanesh të siguronte bashkëjestesën
paqësore të grupeve rivale, me interesa të ndryshme ekonomike e politike. Rezultatet
që u arritën me ndërmjetësinë e tij ishin aq të mëdha, sa meritoi emrin “Profet e
Atë i Atdheut”. Lutja që thoshte më shpesh ishte: “O Zoti im e Hyu im, largoi nga
unë të gjithë ata që më largojnë nga ti, më çliro nga vetvetja e bëj që të kënaqem
vetëm me Ty!”. Si e vëzhguan për shumë kohë nga larg, të afërmit u bindën për
vlerën e dëshmisë së tij e të lutjes së e tij. Atëherë i ndërtuan një eremitazh e
një kapelë, e cila u shugurua në vitin 1469. Atje vijoi të jetonte e të lutej Shën
Nikolli i Flues, një nga mistikët më në zë të të gjitha kohërave. E atje edhe vdiq
në ditën kur po mbushte 70 vjet, më 21 mars 1487.Në vitin 1501 Enrico Wolflin hartoi
biografinë e tij të parë mbi bazën e fakteve të mbledhura, nën betim, nga dëshmitarë
që kishin pa me sytë e tyre e kishin dëgjuar me veshë ngjarjet e mrekullueshme të
jetës së Shenjtit. I lum u shpall në vitin 1669; shenjt - nën papninë e Piut XII
në vitin 1947. Na la si kujtim thënien aq aktuale: “Zoti është paqe e këtë paqe
s’ka forcë në botë që ta shkatërrojë!”.