2009-03-21 14:24:24

Mesha në Luandë. Benedikti XVI: kush predikon Krishtin, ofron mesazhin e jetës së pasosur, duke respektuar kulturat e besimet e tjera.


(21.03.2009 RV)RealAudioMP3 Ditën e sotme, e pesta e shtegtimit apostolik në Afrikë, Papa e nisi me transferimin nga Nunciatura Apostolike në Kishën e São Paulo.
Kjo kishë, e ndërtuar nga etërit kapuçinë në vitin 1935, që nga viti 1982 është nën kujdesin e etërve salezianë. Kisha, në të cilën u kryen punime të pjesshme me rastin e vizitës së Benediktit XVI, zë më se 1500 vetë.
Papa, i shoqëruar prej kryeipeshkvit të Luandës, u prit nga famullitari e, si përshkoi navatën qendrore, u ndalua për një çast adhurimi para të Shenjtnueshmit Sakrament. Në fillim të kremtimit, Benediktin XVI e përshëndeti zevendëskryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Angolës e të São Tomesë (CEAST), imzot Gabriel Mbilingi, ipeshkëv ndihmës i Lubangos.
Por mbi hollësitët e Meshës – të ndjekim të dërguarin e Radio Vatikanit, Davide Dionisi, nga Luanda:

“Dita e dytë angoleze e Benediktit XVI u hap me Meshën me ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret, lëvizjet kishtare e katekistët e Angolës e të São Tomesë, kryesuar nga Ati i Shenjtë në Kishën kushtuar Shën Palit. E pikërisht Apostullit të Popujve Papa ia kushtoi pjesën e parë të homelisë, duke kujtuar dymijëvjetorin e lindjes së tij, Jubileun paolin në vijim e sidomos, përvojën personale, që e shtyu Shën Palin të shndërrohet, pasi njohu personalisht Zotin, plot dhimbë e mëshirë:
“De Deus, rico em Misericórdia, fala-nos por experiência própria São Paulo …
Për këtë Zot, plot mëshirë, Shën Pali na flet përmes përvojës së tij personale... Ja dëshmia që na la: “Kjo fjalë është e sigurtë dhe e denjë për t’u pranuar nga të gjithë: Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët e një prej tyre, madje i pari, jam edhe vetë. Por pikërisht për këtë gjeta mëshirë, sepse Jezu Krishti deshi ta tregojë në mua, së pari, gjithë bujarinë e vet, që kjo gjë të jetë shembull për të gjithë ata, të cilët do të besojnë në Të për të pasur jetën e pasosur” .
Në vijim Papa përshëndeti me gëzim ‘shokët e tij të punës në vreshtin e Zotit’, duke kujtuar posaçërisht salezianët e besimtarët e famullisë së Shën Palit, ku po kremtohej Mesha. Më pas, ftesa e Benediktit XVI drejtuar të pranishëmve, që të zotohen për ta bërë Jezu Krishtin të njohur në të katër anët e Angolës e për të mos lejuar që angolezët të ushqehen me besime të rreme:
“Hoje cabe a vós, irmãos e irmãs, na senda destes heróicos e santos …
Sot ju takon ju, vëllezër e motra, në gjurmët e lajmëtarëve heroikë e shenjtër të Zotit, t’ia ofroni Krishtin e ngjallur bashkëqytetarëve tuaj. Shumë prej tyre kanë frikë nga shpirtrat e këqinj, nga fuqitë e kobshme, prej të cilave mendojnë se kërcënohen; të çorientuar, arrijnë deri në të pikë, sa t’i dënojnë fëmijët e rrugëve dhe më të moshuarit, duke menduar se janë shtrigaj”.
Atyre që dyshojnë ose që janë të bindur se do të ishte më mirë që këta vëllezër të liheshin në paqe, sepse e kanë zgjedhur vetë këtë rrugë, për të arritur tek e vërteta e tyre, duke e parë këtë si përpjekje për ruajtjen e bashkjetesës paqësore, Papa iu përgjigj me fjalët:
“Mas, se estamos convencidos e temos a experiência de que, sem Cristo, …
Por në se ne jemi të bindur e kemi përvojën se, pa Krishtin, jeta është e paplotë, se i mungon një realitet - madje më themelori – duhet të jemi të bindur edhe për faktin se nuk tregohemi të padrejtë ndaj askujt, po t’ia paraqesim Krishtin e t’i japim, kështu, gëzimin të gjejë jetën. Madje duhet ta bëjmë, e kemi për detyrë t’ua japim të gjithëve këtë mundësi për të fituar jetën e pasosur”.Në përfundim të Meshës, Papa u rikthye në Nunciaturën Apostolike, ku drekoi privatisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.