2009-03-21 10:11:50

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të kohës së Kreshmëve.


(21.3.2009 RV)RealAudioMP3 Leximet biblike të kësaj së diele na thërrasin ta njohim e pranojmë në flijimin e Krishtit, të vdekur mbi kryq, dritën rrëzëlluese të ngjalljes së tij. Dashuria e Zotit për njeriun e ka mundur përfundimisht vdekjen dhe na ka dhënë jetën e cila nuk do të ketë mbarim. Hyji Atë e ka dërguar Birin e tij, Njëlindurin që bota, njerëzimi të shëlbohet përmes tij.
Jezu Krishti është mishëruar e ka ardhur ndër ne, jo për të na hequr ndonjë gjë që kemi: as gëzimin, as lirinë, po përkundrazi, Ai ka ardhur që njeriu të mos vdes, por ta ketë jetën e plotë. Feja na ofron e tregon udhën e jetës, alternativa e kësaj është vdekja, prandaj me fjalët e Shën Palit, duhet të vishemi me dritën e Krishtit të Gjallë, që ta asgjësojmë përgjithmonë vdekjen dhe errësirën e amshuar.
Po ne njerëzit, anojmë e vijojmë të ecim pas asaj jete që vdes, në vend që t’i përmbahemi gjurmëve të Mësuesit Hyjnor duke shkuar pas Jetës së vërtetë. Prandaj, Ungjilli i kësaj së diele, na thërret ta përqafojmë jetën që nuk vdes e nuk mbaron kurrë, jetën e Krishtit Zot e Shëlbues, e t’i themi jo jetës kalimtare e të vdekshme. Me Jezu Krishtin gjithçka ndryshon me të vërtetë. Shpesh herë, ne e imagjinojmë Zotin si gjykatës të rreptë që dënon në mënyrë të pariparueshme atë që gabon, ndërsa Jezusi na dëfton e na dëshmon Zotin që na do deri në atë pik sa që ofron të Birin e vetëm, për shpëtimin tonë .Atë që, përmes Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi kërkon prej nesh, është ta vejmë jetën në duar të tij, për ta shpëtuar përjetësisht nga vdekja dhe errësira.
Po kujtojmë se Leximet biblike të kësaj së diele janë nga: Leximi i parë nga Libri i dytë i Kronikave 36,14-16.19-23; Psalmi 137 (136); Leximi i dytë nga Letra e Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve 2,4-10 dhe Ungjilli nga Shën Gjoni ungjilltar, 3,14-21.
Komenti i leximeve biblike të kësaj së diele nga meshtari shqiptar dom Marjan Paloka.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.