2009-03-21 16:17:00

Atë Lombardi: të mos plaçkiten pasuritë e Afrikës!


(21.03.2009 RV)Për vlerësimin e etapës angoleze të shtegtimit të Benediktit XVI në Afrikë, të dëgjojmë komentin e drejtori të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, duke filluar nga fjalimet e Atit të Shenjtë në Angolë.

Përgjigje: - Kam përshtypjen se janë fjalime shumë të vendosura, të pasura në mendime. Në një farë mënyre, pak të ndryshme nga ato, që dëgjuam në Kamerun, të cilat u përqendruan më shumë tek tema e Sinodit dhe e jetës së Kishës. Fjalime si ai i aeroportit, drejtuar popullit angolez dhe situatës, në të cilën jeton, pas shumë përçarjesh e luftërash, me impenjimin e sotëm për rindërtim, dhe fjalimi drejtuar autoritetve politike e civile dhe Trupit Diplomatik. Ja, edhe ky ishte një fjalim shumë i fortë: u kujtuan parimet themelore për ndërtimin e një demokracie moderne: respekti e promovimi i të drejtave të njeriut, qeveria transparente, magjistratura e pavarur, komunikimi i lirë shoqëror, administrata publike e ndershme, çrrënjosja e korrupsionit. Vërtetë shumë gjëra të rëndësishme e të qarta. E, së fundi, edhe impenjimi për familjen dhe qëndrimi kundër masave, që cënojnë dinjitetin e gruas e që përligjin abortin për kontrollin e lindjeve.

Pyetje: - Duke folur për Angolën, që pak vjet më parë qe teatër i një konflikti, i cili zgjati tridhjetë vjet e që është një nga vendet më të pasura me burime natyrore, Papa theksoi: “Mos u përkulni para ligjit të më të fortit!”...

Përgjigje: - Është një nga këshillat që dha Papa. Ai bën gjithnjë thirrje për respektimin e së mirës së përbashkët, për solidaritetin, për vëmendjen ndaj të varfërve, për shpërndarjen e drejtë të pasurive. Fakti që Afrika është kontinent në të cilin shumë vende janë të pasura me burime, por njëkohësisht edhe të tronditura nga një varfëri e skjashme, lyp gjyq para Zotit. E duhet gjetur pa tjetër mënyra nga ana e vendeve të jashtme, të mos i plaçkisin këto pasuri për interesa ekonomike, që nuk kanë të bëjnë me Afrikën, e nga ana qevritarëve, të mos i përdorin keq, për shkak të korrupsionit, të interesit personal, por t’i vënë vërtetë në përdorim të të gjithëve.

 
Pyetje: - Desha të kujtoj se në fjalimin gjatë takimit me autoritetet politike e civile dhe me Trupin Diplomatik, Papa kujtoi edhe vështirësitë e shumë familjeve si dhe diskriminimin e grave…

Përgjigje: - Kjo më bën përshtypje. Është një nga fijet, që përshkojnë tej e mbanë mësimin e Papës në këtë shtegtim. E më duket tejet domethënëse, sepse faktikisht gruaja në shoqërinë afrikane ka një rol absolutisht qëndror. E prej këndej, t’ia njohësh dinjitetin, ta ndihmosh të zhvillohet, është një nga kyçet e progresit njerëzor e shpirtëror të Afrikës.







All the contents on this site are copyrighted ©.