2009-03-20 16:40:57

Ati i Shenjtë në Angolë: “Mos u përkulni para ligjit të më të fortit, ndajini bashkërisht pasuritë me drejtësi”.


(20.03.2009 RV)RealAudioMP3 Pas përshndetjes së lamtumirës, Benedikti XVI u largua nga Jaunde, për të filluar dialogun me Angolës, etapë e dytë e shtegtimit të tij të parë apostolik në Afrikë.
Avioni me të cilin shtegtonte Papa preku trojet e Luandës në Aeroportin ‘4 shkurti’, ku u mbajt edhe ceremonia e mirëseardhjes. Për ta pritur Atin e Shenjtë kishte dalë presidenti i Republikës, zoti Eduardo Dos Santos me bashkëshorten, autoritete të larta politike, civile e kishtare. Pas përshëndetjes së Presidentit, fjalët e para të Papës drejtuar Angolës ishin:
“Benedikti XVI vjen në Angolë me ndjenja respekti e miqësie, në kuadrin e një vizite baritore, që përfshin mbarë Kontinentin Afrikan”.
Në zemrën time e në lutjen time – shtoi Papa – është e pranishme mbarë Afrika e, në veçanti, populli i Angolës, të cilin e nxis të vijojë ecjen në rrugën e paqëtimit e të rindërtimit të vendit e të institucioneve.
Si e falënderoi presidentin për fjalët e mirëseardhjes, Ati i Shenjtë i drejtoi pëshëndetjen e tij mbarë Kishës katolike në Angolë. Iu drejtua jo vetëm të pranishëmve, por edhe të gjithë atyre që e ndiqnin përmes radios e televizionit, duke i ftuar ta kryejnë së bashku misionin që u është besuar nga Hyji, ndërtimin e një shoqërie më të lirë, më paqësore, më solidare. E këtu Papa ceku fakte shumë personale:
Ju kujtoj se vij nga një vend, ku paqen e vëllazërimin i kanë shumë për zemër të gjithë banorët, në mënyrë të posaçme ata që, ashtu si unë, njohën luftën e ndarjen e vëllezërve, që i përkisnin të njëjtit komb, për shkak të ideologjive shkatrrimtare e çnjerëzore të cilat, në emër të ëndrrave e të shpresave të kota, i mbanin njerëzit nën zgjedhën e rëndë të shtypjes. Mund ta kuptoni, prandaj, sa i ndjeshëm jam, kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet njerëzve, si mjet për të kapërcyer çdo formë të konfliktit e të tensionit e për ta bërë çdo komb – edhe Atdheun tuaj – një shtëpi, në të cilën mbretëron paqja e vëllazërimi”.
Papa i ftoi angolezët të marrin nga trashëginia e tyre shpirtërore vlerat më të mira e ta pranojnë pa frikë njëri-tjetrin, duke ndarë së bashku pasuritë personale shpirtërore e materiale në dobi të të gjithëve, mbi bazën e drejtësisë e të barazisë, të cilat i dëshirojnë të gjithë e pa të cilat Afrika nuk mund të ketë ardhmëri paqësore e solidare:
Mos u përkulni para ligjit të më të fortit bëri thirrje Papa -duke kujtuar se për fat të keq brenda kufijve angolezë ka ende shumë të varfër, që kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre”.
Duke mos harruar se shumica e angolezëve jeton nën nivelin e varfërisë absolute, Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të marrin pjesë në ndërtimin e një shoqërie të re. E një shoqëri e tillë mund të ndërtohet vërtetë, vetëm mbi bazën e vlerave që pranohen nga të gjithë – tha Papa e vijoi:
“Jam i bindur se Angola mund t’i gjejë edhe sot këto vlera në Ungjillin e Jezu Krishtit, ashtu siç i gjeti shumë kohë më parë, me paraadhësin tuaj të ndritur, Dom Alfonso I Mbemba-a- Nzinga, i cili në shekullin XV themeloi Mbanza Kongon, mbretëri e krishterë, që zgjati deri në shekullin XVIII”.
Nga hiri i saj – kujtoi Ati i Shenjtë - ndërmjet shekujve XIX e XX, lindi një Kishë e re, që vijon të rritet edhe sot e kësaj dite, për të cilën falënderojmë Zotin:
“Ja shkaku për të cilin erdha në Angolë tha në përfundim Papatë takoj një nga bashkësitë më të lashta katolike të Afrikës subekutatoriale, për ta përforcuar në fenë e Jezu Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.