2009-03-19 18:29:28

Vazhdon vizita e Papës në Kamerun. Gjatë Meshës së sotme në Jaundé, Papa i bëri thirrje Kishës afrikane të jetë shpresë për popullin e vet.


(19.03.2009 RV)RealAudioMP3 Vazhdon vizita e Atit të Shenjtë në Kamerun. Sot paradite Benediktit XVI kryesoi kremtimin e Meshës Shenjte në stadiumin e Jaundesë. Gjatë Saj, Ati i Shenjtë i dorëzoi ipeshkvijve Instrumentum laboris për Sinodin e ardhshëm të Afrikës. Në homelinë e kësaj Meshe, e cila përkoi edhe me ditën e Shën Jozefit, ditë e emrit të Papës Racinger, Ati i Shenjtë bëri thirrje që bashkëshorti i Marisë të merret si pikë referimi për ta përtërirë besimin tonë tek Zoti:

Në ditën e festës së Shën Jozefit, emrin e të cilët mban edhe Benedikti XVI, Papa i bëri thirrje të gjithë Kishës afrikane të përqafojë një mision të shenjtë që ka të bëjë me të ardhmen e kontinentit afrikan: Kisha të jetë udhërrëfyese për familjet, të rinjtë, për burrat e për gratë në mënyrë që të kapërcejnë vështirësitë dhe të zbulojnë një jetë plot me shpresë, nën dritën e mësimeve të Ungjillit. Nga altari, që ishte vendosur në brendësi të stadiumit të Jaundésë, Papa, për të cilin ishte përgatitur një podium me pamjen e një banese tipike afrikane, kryesoi kremtimin e Meshës Shenjte përpara afro 50 mijë besimtarëve, çast kulmor ky i shtegtimit të tij në këtë kontinent.

Afrika me traditat, me meloditë, me ngjyrat e saja e përqafoi me përzemërsi Papën, i cili edhe një herë mori si shembull Shën Jozefin, atë që i dha Zotit provën më të madhe të besnikërisë kur iu kumtua Lajmi i Mirë se Maria priste një foshnje hyjnore, të Birin e Zotit. Ati i Shenjtë u bëri thirrje etërve dhe nënave kamerunase që ta përqafojnë rolin e prindit me besim tek Zoti, t’u bëhen prindër bijve të Tij, që t’u përcjellin atyre vlerat njerëzore dhe shpirtërore, duke jetuar me dashuri dhe me respekt për emrin e Tij.

"Në një kohë kur shumë njerëz të paskrupuj kërkojnë që t’u imponojnë të tjerëve mbretërinë e parasë, duke përçmuar më nevojtarët, ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm – tha Papa. Afrika në përgjithësi dhe Kameruni në veçanti, do të vihen në rrezik nëse nuk do ta njohin e nuk do ta pranojnë Autorin e vërtetë të Jetës! Mos lejoni që të gënjeheni nga lavditë e rreme dhe nga idealet e rreme. Besoni, po, vazhdoni të besoni se Zoti, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, është i vetmi që ju do ashtu siç do të donit ju, është i vetmi që mund t’ju kënaqë, që mund t’i japë qëndrueshmëri jetës suaj. Krishti është rruga e vetme e jetës."

Ashtu sikundër edhe Jozefit, vazhdoi Papa, vetëm Zoti do t’ju japë forcë për të edukuar familjen tuaj ashtu siç do Ai. Mjafton që t’ia kërkojmë, t’i kërkojmë dhuntinë e një dashurie të vërtetë dhe gjithnjë besnike. Vetëm kështu familja mund të mbrohet me të vërtetë.

“Ashtu sikurse edhe në kontinentet e tjera, sot familja në Afrikë po kalon një periudhë të vështirë....Disa nga vlerat tradicionale të jetës janë tronditur, - nënvizoi Papa Racinger. Marrëdhëniet ndërmjet breznive kanë pësuar ndryshime në një mënyrë të tillë sa nuk mund ta realizojnë më, si në të kaluarën, përcjelljen dorë më dorë të dijeve të grumbulluara dhe të urtisë të trashëguar nga të parët... Nga kjo e ka pësuar cilësia e marrëdhënieve familjare. Pjesëtarët e familjeve të breznive të reja, të hutuar e të çorientuar kërkojnë të shpëtojnë nga e keqja duke u strehuar tek disa parajsa të rreme dhe artificiale të huazuara, që nuk i japin njeriut lumturi të thellë e të qëndrueshme. Ndonjëherë edhe afrikani është i detyruar që të ikë, të dalë nga vetvetja, nga vëllezërit e motrat e tija të gjakut madje edhe nga vetë Zoti”.

Receta për këtë sëmundje tha Benedikti XVI është që të shpresojmë: “të shpresojmë edhe kur nuk kemi fare shpresë” të besojmë, të duam, të themi se Jezusi është Rruga, e Vërteta dhe Jeta, shpëtimi i vërtetë. Kështu – vijoi Papa – Afrika, nëse nuk ka frikë sikurse edhe Jozefi dhe Maria për ta dashur Kishën, mund të bëhet kontinenti i shpresës. Një thirrje kjo që Papa ua drejtoi të martuarve por edhe të shuguruarve, duke iu kujtuar se virgjëria dhe pastria jo vetëm që nuk shkojnë kundër martesës por edhe i paraprijnë: martesa dhe virgjëria janë mënyra e vetme për të përjetuar Misterin e Aleancës së Zotit me popullin e vet. Në fund Papa u dha zemër të rinjve duke i nxitur që t’i dhurohen Krishtit, deri edhe në meshtarì e në jetë të shuguruar.
Më pas një mesazh të përzemërt për më të vegjlit, që gjenden nën peshën e vuajtjeve dhe të dëshpërimit, një mesazh për ata që nuk kanë më familje.

"Fëmijëve që nuk kanë baba ose që jetojnë të braktisur në rrugë të madhe, në mizerje, atyre që janë ndarë me dhunë nga prindërit e tyre, të keqtrajtuar dhe me të cilët është abuzuar, fëmijëve që janë marrë ushtarë me dhunë nga grupet ushtarake që gjenden kudo nëpër disa shtete, këtyre fëmijëve do të doja t’u thosha: “Zoti ju do, nuk ju harron dhe Shën Jozefi ju mbron! Thirreni me besim t’ju ndihmojë”.

Në fund pastaj Papa u dorëzoi të gjithë ipeshkvijve të pranishëm, një për një, Instrumentum Laboris për Sinodin, temën pra rreth së cilës do të zhvillojë punimet Sinodi i Afrikës që do të mbahet në tetor, në Romë. Papa e përkufizoi këtë dokument si pasqyrë të dinamizmit të madh të Afrikës por edhe si një përmbledhje të sfidave me të cilat prelatët do të ballafaqohen. Uroj – vazhdoi Papa – që punimet e Asamblesë të Sinodit të ndihmojnë në rritjen e shpresës së popujve afrikanë, duke i dhënë çdo Kishe një hov të ri ungjillor dhe misionar në shërbim të pajtimit, të drejtësisë dhe të paqes: “Ju jeni kripa e Tokës... Ju jeni drita e botës.” përfundoi Papa







All the contents on this site are copyrighted ©.