2009-03-19 18:29:49

Papa myslimanëve të Kamerunit: “Besimi në Zotin nuk na vë kundër botës, larg qoftë, por na impenjon për të mirën e saj.”


(19.03.2009 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, përpara Meshës Shenjte, Papa u takua me përfaqësuesit e bashkësisë myslimane të Kamerunit, të cilët i priti në Nunciaturën Apostolike. Benedikti XVI tha se ishte i lumtur për “këtë mundësi kaq premtuese” për përforcimin e “lidhjeve që bashkojnë të krishterët dhe myslimanët” të cilët besojnë “në një Zot të vetëm e të mëshirshëm”.

“Një shenjë kuptimplote, ky takim – e nisi fjalën e tij Benedikti XVI – që tregon për dëshirën “për të shkëmbyer ide sesi feja jep kontribut themelor për të kuptuar kulturën e botës dhe për bashkekzistencën paqësore”. Papa nxiti dialogun ndërfetar, i cili rrit dhe mbështet “formimin e një rendi politik të qëndrueshëm në kohë” në Kamerun, ku me mijëra të krishterë dhe myslimanë, “shpesh jetojnë, punojnë dhe praktikojnë fenë e tyre,” duke dëshmuar “vlerat e tyre themelore”: familjen, përgjegjësinë shoqërore, bindjen ndaj Zotit, dashurinë ndaj të sëmurëve dhe atyre që vuajnë:

“Miqtë e mi, unë besoj se një detyrë veçanërisht urgjente e fesë, - tha Papa – është që të shfaqim dukshëm fuqinë e madhe të arsyes njerëzore”, “një dhanti e Zotit”, “e cila është lartësuar nëpërmjet të Dëftuarit dhe fesë”. Prandaj “të besosh në Zotin, - larg qoftë nga ne që ta paragjykojmë aftësinë tonë për të kuptuar vetveten dhe botën, - vetëm sa e zgjeron atë. Kjo na impenjon për të mirën e botës, e nuk na vë kundër saj, larg qoftë.” vijoi Benedikti XVI.

Që këtej buron edhe ftesa për “t’i ndihmuar të tjerët të zbulojnë gjurmët e dukshme dhe praninë e mistershme të Zotit në botë” në mënyrë që “të gjithë të zbulojnë se e arsyeshmja shkon përtej asaj që matematika mund të llogarisë, që logjika mund nxjerrë si përfundim e që eksperimentet shkencore mund të tregojnë; ajo çka është e arsyeshme “përfshin edhe mirësinë”, dhe do të thotë të çosh një jetë të ndershme.

“Ky koncept na shtyn të kërkojmë – shpjegoi më tej Ati i Shenjtë – gjithçka është e drejtë dhe e mirë, na shtyn të dalim nga korniza jonë e interesit tonë të
ngushtë egoist dhe të veprojmë për të mirën e të tjerëve”.

“Një fé e pastër e zgjeron kësisoj horizontin e mirëkuptimit njerëzor dhe është në themel të çdo kulture të vërtetë njerëzore”. Prandaj “i refuzon të gjitha format e dhunës dhe të totalitarizmit: jo vetëm si parime fetare, por edhe si pamundura për të qenë në themel të arsyes. Në fakt, feja dhe arsyeja – pohoi Benedikti XVI – mbështesin njëra-tjetrën.”

Përpara ndarjes me përfaqësuesit myslimanë Papa uroi që “bashkëpunimi ndërmjet myslimanëve, katolikëve dhe të krishterëve të tjerë në Kamerun të jetë për të gjitha vendet afrikane një far i ndritshëm, që t’u tregojë atyre se ç’forcë ka impenjimi fetar për paqen, për drejtësinë dhe të mirën e përbashkët!”







All the contents on this site are copyrighted ©.