Gazetat e Kamerunit për vizitën e Papës Benedikti XVI
(19.03.2009 RV)Para se të fillojmë shfletimin e gazetave të Kamerunit, që i
kanë dhënë një pasqyrim të gjithanshëm shtegtimit të parë të Papës Benedikti XVI në
Afrikë, sinjalizojmë se në të gjitha pikat e shitjes ka dalë një libër me historinë
e papëve dhe vazhdojnë të botohen numra të veçantë mbi vizitën, papët e Vatikanin.
CAMEROON
TRIBUNE – Titujt e sotëm i referohen kryesisht vizitës së Papës te presidenti
i Republikës. “Momente të rëndësishme me Benediktin XVI” është titulli në faqen e
parë me fotografinë e familjes së presidentin Bija me Atin e Shenjtë. Në faqet 2-12
artikujt mbi ditën e djeshme. Disa tituj: “Në bashkim të përsosur me Bariun universal”,
“Një shenjë shprese për Afrikën”, “Inkurajimi i Papës për Afrikën”, “Misioni i Kishës.
Të fitojë mbi varfërinë”, “Papa u bën thirrje për vëllazërim ipeshkvijve të Kamerunit”.
Më pas, artikuj të tjerë mbi praninë e rreth 400 gazetarëve në qendrën e shtypit të
hotelit Hilton, mbi masat e sigurisë dhe mbi planin e qarkullimit për ditën e sotme.
LE
JOUR – Në faqe të parë, por në fund të saj, vizita papnore: “Benedikti XVI ia
beson kamerunezët Virgjërës Mari”. Në faqet 2-3-4, domethënia e Lutjes Mbrëmësore,
vizita e Papës te presidenti, intervista me prelatë të lartë të Kamerunit mbi temat
e prekura nga Ati i Shenjtë. Së fundi, fjalimi i plotë i Benediktit XVI drejtuar ipeshkvijve
në Kishën e Krishtit Mbret.
MUTATIONS – Është e vetmja gazetë që evidencon
polemikën për Sidën. Në faqen e parë “Papa i bën gjyq prezervativit – Shoqatat e të
sëmurëve nga Sida i kërkojnë Atit të Shenjtë të rishikojë qëndrimin e Kishës mbi përdorimin
e prezervativit”. Në faqet 8-14, përsa i përket takimit me ipeshkvijtë, shkruhet “Benedikti
XVI përflak Tsingën”; akoma mbi Sidën, intervistë me drejtoreshën kombëtare të organizatës
“Care Cameroun”: “Fjalët e Papës mbi Sidën mund të ndihmojnë kundër getizimit të të
sëmurëve nga Hiv”, por edhe një artikull që vë në dukje se diskutimet mbi Sidën kanë
lënë në hije temat e tjera të vizitës papnore, para së gjithash, “Instrumentum Laboris”
për sinodin e ipeshkvijve. Më pas, “Myslimanë e të krishterë në të njëjtën kishë”.
PROSPECTIVE
– Numër i veçantë kushtuar vizitës së Papës. “Shenjtëria e Tij, Benedikti XVI në Afrikë
– Papa, Kameruni dhe magjia e fesë”. Artikuj të tjerë: “Mëse 50 mijë ipeshkvij, meshtarë,
besimtarë në meshën e stadiumit Jaundé”, “Mëse 5 milion në Kamerun, shikuesit e transmetimeve
televizive për Papën”, “1 miliard teleshikuesit e Afrikës dhe të krejt botës”, “30
mijë policë e ushtarë të mobilizuar për sigurinë”, “Jaundé, kryeqytet afrikan i pajtimit,
drejtësisë dhe paqes”, “Kameruni, tokë ekumenizmi e dialogu ndërfetar”, “Kamerun –
Vatikan: një bashkëpunim i lashtë e i frytshëm”. E më pas, artikuj e fotografi mbi
Kishën kameruneze; mbi shitjen e bluzave, statujave e objekteve të tjera “Papa shitet
shtrenjtë në Jaundé”. Në faqen e fundit, fotografi të Papës në plan të parë.