27% e qendrave botërore për kurimin e Sidës janë të Kishës Katolike. Kurimi bëhet
falas.
(19.03.2009 RV)Kisha Katolike ka 27% të qendrave, ku të sëmurët e Sidës kurohen
falas. Ajo është e pranishme në 90 vende të botës, me impenjimin e saj në luftën kundër
virusit Hiv. Ekzistojnë mjaft të dhëna që tregojnë kufizimet e politikave, që
bazohen mbi përdorimin e prezervativit si zgjidhje për problemin e Sidës. British
Medical Journal ka botuar një letër të shkruar nga shkencëtari bioetik Amin Abbound,
në të cilën ai shkruan se çdo ndryshim në qëndrimin e Kishës katolike mbi përdorimin
e prezervativit do ta përkeqësonte gjendjen në Afrikë. Nga një analizë statistikore
e situatës në kontinent del se në ato vende ku prania e katolikëve është më e madhe,
përhapja e virusit Hiv është më e vogël. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë,
në Svaciland, ku 42,6% e popullsisë janë të sëmurë nga Sida, vetëm 5% e popullsisë
është katolike. Në Botsavana, ku 37% e popullsisë është e sëmurë nga Sida, katolikët
janë vetëm 4%. Ndërsa në Ugandë, ku 43% e popullsisë është katolike, virusi Hiv ka
infektuar vetëm 4%. Me të njëjtin mendim me Papën, pavarësisht se pa e konsideruar
prezervativin jashtë luftës kundër Sidës, është edhe revista e njohur e kirurgëve
botërore “The Lancet”. Në numrin e 27 nëntorit 2004, një grup mjekësh specialistë
mbrojnë idenë se para se t’u ofrohet prezervativi të rinjve, duhet t’u mësohen atyre
vlerat e seksualitetit e të shtyhet mosha e marrëdhënies së parë seksuale. Shmangia
e rrezikut është mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin me Hiv. Përsa i përket
partnerëve të rritur, “The Lancet” mbështet tezën se besnikëria ndaj një partneri
të vetëm jep rezultatet më të mira në ndalimin e virusit. Nga SHBA-të, Lidhja
Katolike për të drejtat fetare e civile vë në dukje sot se nëse përdorimi i prezervativit
do të ishte kaq i suksesshëm, siç pretendojnë qeveritë botërore, atëherë nuk shpjegohet
se si Nju Jorku ka një përhapje të virusit Hiv tri herë më të madhe se mesatarja kombëtare,
pikërisht në kohën kur shpërndarja e prezervativëve ka arritur pikun më të lartë.
Gjithashtu, nënvizon lidhja, është rritur edhe përhapja e sëmundjeve të tjera të transmetueshme
seksualisht.