"Jeta e shuguruar është imitim rrënjësor i Krishtit": kështu tha Papa Benedikti XVI
në Lutjen Mbrëmësore në Jaundé të Kamerunit
(18.03.2009 RV)Një vështrim mbi
figurën e Shën Jozefit, për të përcaktuar karakteristikat e meshtarit e të rregulltarit
të sotëm. Kështu u shtjellua reflektimi i Papës Benedikti XVI pasditen e sotme, gjatë
së cilës Ati i Shenjtë kremtoi Lutjen Mbrëmësore sëbashku me ipeshkvijtë, meshtarët,
rregulltarët, seminaristët e përfaqësuesit e besimeve të tjera të krishtera në Bazilikën
e Shën Marisë, Mbretëreshë e Apostujve në kryeqytetin e Kamerunit, Jaundè. Shën
Jozefi, fati i Shën Marisë virgjër, kremtohet nesër nga Kisha katolike e është edhe
dita e emrit e vetë Papës. Atësia e tij, pranimi i detyrës së atit për Jezu Krishtin,
pa qenë edhe ati i tij biologjik, e bën shën Jozefin njeriun që meriton të ndiqet
nga të gjithë meshtarët. Për Krishtin, ai njohu persekutimin, braktisjen e varfërinë.
Shpërblimi i tij qe vetëm ai i qëndrimit me Krishtin, kënaqësia se i shërbeu Hyjit.
Këtë lloj atësie, u tha Papa meshtarëve, ju duhet ta jetoni në misionin tuaj të përditshëm: “Nuk
duhet të jemi shërbëtorë të rëndomtë, por “besnikë e të urtë”. Të dy këta mbiemra
nuk janë të rastit: ata sugjerojnë se inteligjenca pa besnikërinë e besnikëria pa
urtinë janë cilësi të pamjaftueshme. Njëra pa tjetrën nuk na lejon të marrim përsipër
plotësisht përgjegjësinë, që na beson Zoti”. Ashtu si shën Jozefi, që i shërbeu
me besnikëri Krishtit, duke e drejtuar madje atë në jetë, pavarësisht se me druajtjen
e njeriut para Zotit, edhe meshtari, në bazën e misionit të vet ka Jezusin. Por ku
më mirë se në Eukaristi, mund ta takojmë Hyjin e mishëruar, pyeti Papa: “Meshtarì
në shërbim do të thotë lidhje e thellë me Krishtin, që na është dhuruar në Eukaristi.
Qoftë kremtimi i Eukaristisë vërtet qendra e jetës suaj meshtarake, që të bëhet kështu
edhe qendra e misionit tuaj meshtarak… Në kremtimin e këtij Sakramenti, në emrin dhe
në personin e Hyjit, nuk është prifti në plan të parë: ai është shërbëtor, mjet i
përvuajtur që çon te Krishti, pasi vetë Krishti ofrohet flijë për shpëtimin e botës”. Ati
i Shenjtë i ftoi meshtarët t’u qëndrojnë besnikë premtimeve të bëra para Hyjit, të
bashkëpunojnë me ipeshkvijtë, të jenë të përvuajtur, sepse shpesh njeriu që duket
sikur nuk ka vlerë, mund të qëndrojë më lart se ata për sytë e Hyjit. Mos kini frikë
nga vështirësitë e rrugës, u tha Papa Racinger: “Të rinjve që përgatiten të
bashkohen me ju, si edhe atyre që akoma kanë pikëpyetje, dua t’iu them sonte sa gëzim
provohet kur e dhuron vetveten krejtësisht për t’i shërbyer Zotit e Kishës. Kini guxim
t’i thoni një “po” bujare Krishtit!” Kthejini sytë nga shën Jozefi, vazhdoi
Benedikti XVI, duke përshkruar historinë e atësisë së shenjtit, që pranoi në shtëpi
shën Marinë shtatzënë, duke iu bindur vullnesës së Hyjit. Shën Jozefi na mëson se
për të dashur, nuk është e nevojshme edhe ta zotërosh tjetrin. Sipas shembullit të
tij, kushdo mund të shërojë plagët e tij shpirtërore, edhe në marrëdhëniet familjare,
duke hyrë e duke iu bindur planit të Zotit. Pikërisht këtu, detyra e njerëzve të Kishës
merr rëndësi të veçantë: “Të dashur vëllezër e motra të impenjuar në lëvizjet
kishtare, tregoni kujdes ndaj njerëzve që keni përreth e shfaquni fytyrën më të dashur
të Zotit personave të përvuajtur, sidomos përmes veprave të mëshirës, edukimit njerëzor
e të krishterë të të rinjve, promovimit të gruas e në shumë mënyra të tjera!... Duke
iu përgjigjur thirrjes, duke imituar Krishtin e pastër moralisht, të varfër e të bindur,
krejtësisht të përkushtuar për lavdinë e Atit e për dashurinë ndaj vëllezërve e motrave
të tij, ju keni si mision të dëshmoni, para botës së sotme që ka shumë nevojë, përparësinë
e Zotit dhe të të mirave të amshuara”. Jeta e shuguruar, theksoi më pas Ati
i Shenjtë, është imitim radikal i Krishtit. Është e nevojshme që kjo të shprehet plotësisht
në jetën e meshtarëve e të rregulltarëve, porositi Papa Racinger. Një shembull për
këtë është atë Sajmon Mpeke, i quajtur në Kamerun edhe Baba Sajmon. Misionari këmbëzbathur,
kujtoi Benedikti XVI, shkriu të gjitha forcat në shërbim të vëllezërve të vet, pa
u kursyer. E sërish shën Jozefi, shenjë e qartë për të gjithë ata që duan bashkimin
e të krishterëve, pasi iu bind pa fjalë Hyjit të Gjithpushtetshëm. Këtu, Papa iu drejtua
përfaqësuesve të besimeve të tjera të krishtera, duke theksuar se vetëm në Krishtin,
të gjithë të krishterët mund ta njohin njëri-tjetrin si vëllezër, bij të të njëjtit
Atë: “Shembulli i shën Jozefit na nxit të kuptojmë se vetëm duke e lënë krejtësisht
veten në dorën e Zotit, njeriu bëhet zbatues i frytshëm i planit të Hyjit, i cili
dëshiron t’i bashkojë njerëzit në një familje të vetme, në një bashkësi të vetme,
në një kishë të vetme”. Këtë dëshirë, si edhe shenjtërimin e meshtarëve e të
rregulltarëve, Papa ia besoi shën Marisë, Mbretëreshë e Apostujve, Pajtores së Kamerunit. Nesër,
Benediktin XVI e pret një ditë e ngarkuar. Është dita e fundit e tij në Kamerun, para
nisjes për në Angolë, ditën e premte. Po nesër arrin edhe kulmi i vizitës së Atit
të Shenjtë në Afrikë, pasi i dorëzon Kishës së vendit “Instrumentum Laboris” për Sinodin
II të ipeshkvijve, që do të mbahet në tetor në Vatikan. Aktivitete të tjera të rëndësishme,
si takimi me përfaqësuesit e myslimanëve kamerunezë, me botën e të sëmurëve dhe me
anëtarët e Këshillit të veçantë për Afrikën të Sinodit të Ipeshkvijve do të karakterizojnë
ditën e nesërme të shtegtimit të parë të Benediktit XVI në kontinentin e zi.