(18.03.2009 RV)Ngrihet mbi vendin ku më parë ndodhej Katedralja e Jaundesë
(1927), kushtuar Shpirtit të Shenjtë, e shembur në vitin 1980 për shkak të kushteve
të këqia arkitektonike dhe të paqëndrueshmërisë së ndërtesës. Bazilika e sotme mban
në vetvete dëshirën e Kryeipeshkvit të atëhershëm të kryeqytetit të Kamerunit, imzot
Zhan Zoa (1922 – 1998) për të kremtuar në të 100-vjetorin e kushtimit të Kamerunit
shën Marisë, Mbretëreshës së Apostujve nga misionarët palotinë gjermanë (8 dhjetor
1890) në Marienberg. Në fakt, ungjillëzimi i vendit filloi në vitin 1901, pikërisht
nga kodra Mvolié, e cila mbahet si Famullia amë e Kishës kamerunense. Shenjtërorja
aktuale mariane (guri i parë u vendos më 15 gusht 1990) ka arkitekturë bashkëkohore,
që përdor materiale natyrore e simbologji krejtësisht afrikane, përshkuar nga elemente
të natyrës. Brenda saj mund të hyjnë rreth 3.500 vetë, ndërsa sheshi Shën Maria, para
shenjtërores, mban deri në 20 mijë vetë. Gjashtë shatërvanë dhe po aq panele prej
qeramike, ku pasqyrohen Sakramentet, përbëjnë pika fikse, që e shoqërojnë shpirtërisht
besimtarin, i cili vjen për t’iu lutur Zojës në këtë vend. Me rastin e vitit
kushtuar Shën Palit, në këtë shenjtërore janë organizuar shtegtime të shumta, të cilat
do të vazhdojnë deri në përfundim të vitit, më 6 qershor 2009.