2009-03-17 16:57:51

“Jo shtypjen ekonomike e politike, por lirinë e lavdishme të bijve të Zotit”: këtë u ofron Kisha besimtarëve katolikë në Afrikë. Kështu Papa Benedikti XVI në Jaundè të Kamerunit, ku filloi udhëtimin e parë apostolik në tokën afrikane.


(17.03.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI mbërriti sot në Afrikë e pikërisht në Kamerun, etapa e parë e udhëtimit të tij të parë apostolik në kontinentin e zi. Etapa e dytë është Angola. Pasnesër, Ati i Shenjtë do t’i dorëzojë Kishës, Instrumentum Laboris, dokumentin me të cilin ipeshkvijtë e kontinentit do të punojnë në Sinodin e dytë për Afrikën, që do të mbahet në Vatikan në tetor të këtij viti. Një entuziazëm i jashtëzakonshëm e pret Papën jo vetëm në të dyja vendet e vizitës, por në të gjithë kontinentin, i cili e ndjek me vëmendje e shpreson që prania e Atit të Shenjtë t’i japë një shtysë të re shpirtërore bashkësisë katolike e jo katolike.
Në aeroportin e Jaundesë, kryeqytetit të Kamerunit, Papa u prit nga presidenti i Republikës, Pol Bijà, nga kryetari i Konferencës ipeshkvnore të Kamerunit, imzot Toniè Bakot e kardinal Tumi. Ishin të pranishme edhe autoritete politike e civile, Trupi Diplomatik, ipeshkvijtë e vendit dhe një grup besimtarësh e një kor. Benedikti XVI shprehu kënaqësinë e tij për këtë udhëtim të parë në tokën afrikane e falenderoi për praninë e tyre edhe krerët e besimeve të tjera të krishtera e ndjekësit e feve të tjera. Që në fjalët e para, Ati i Shenjtë sqaroi qëllimin e vizitës:
“Vij ndër ju si bari. Vij për të përforcuar në fe vëllezërit e motrat e mia. Kjo është detyra që Krishti i besoi shën Pjetrit në Darkën e Mbrame, e ky është roli i pasardhësve të Shën Pjetrit”.
E pasi përmendi traditën shumëshekullore të krishterimit në Afrikë, martirët e shenjtorët e kësaj toke, si shën Çipriani, shën Monika, shën Agustini, shën Athanasi, pasi foli për udhëtimin e Papës Gjon Pali II në Jaundè në vitin 1995, Papa vuri në dukje elementin më të rëndësishëm të vizitës:
“Erdha këtu për të paraqitur Instrumentum Laboris të Asamblesë së dytë të Veçantë, që do të mbahet në Romë në tetorin e ardhshëm. Etërit e Sinodit do të reflektojnë sëbashku mbi temën: “Kisha në Afrikë në shërbim të pajtimit, të drejtësisë e të paqes: ‘Ju jeni kripa e tokës … Ju jeni drita e botës (Mt 5,13-14)”. Pas gati dhjetë vjetësh të mijëvjeçarit të ri, ky moment hiri është thirrje për të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e besimtarët laikë të kontinentit t’i kushtohen sërish misionit të Kishës për të sjellë shpresë në zemrat e popullit të Afrikës, e me të edhe në ato të popujve të krejt botës”.
Edhe në mes të vuajtjeve më të mëdha, vazhdoi Papa Racinger, mesazhi i krishterë sjell gjithnjë shpresë. Benedikti XVI kujtoi shembullin e shenjtes afrikane Jozefina Bakita, e cila tregon se si shndërrohet nga takimi me Zotin, një jetë vuajtjesh e padrejtësish, e pastaj shtoi:
“Para dhimbjes apo dhunës, para varfërisë e urisë, para korrupsionit e abuzimit të pushtetit, një i krishterë nuk mund të qëndrojë kurrë në heshtje. Mesazhi shpëtimtar i Ungjillit duhet shpallur me forcë e qartësi, që drita e Krishtit të ndriçojë errësirën e jetës së personave”.
Ati i Shenjtë nuk harroi të flasë për problemet e Afrikës, për nevojën e njerëzve për një fjalë ngushëlluese e shprese. Me forcë, Papa denoncoi:
“Në një kohë mungese globale të ushqimit, në kohën e pështjellimit financiar, të modeleve shqetësuese të ndryshimeve të klimës, Afrika vuan më shumë se ç’duhet: një numër në rritje i banorëve të saj bëhet pre e urisë, varfërisë, sëmundjes. Ata kërkojnë me zë të lartë pajtim, drejtësi e paqe, e pikërisht këtë u ofron Kisha. Jo forma të reja shtypjeje ekonomike e politike, por lirinë e lavdishme të bijve të Zotit. Jo imponimin e modeleve kulturore, që injorojnë të drejtën për jetë të të palindurve, por ujin e pastërt, shpëtimtar të Ungjillit të jetës. Jo rivalitetet e hidhura ndëretnike e ndërfetare, por drejtësinë, paqen e gëzimin e Mbretërisë së Zotit, përshkruar kaq mirë nga Papa Pali VI si “qytetërim i dashurisë”.
E pas këtyre fjalëve, ku vihen në dukje problemet kryesore të Afrikës, Papa u ndal në sukseset e arritura në Kamerun, pasi kontinenti i zi nuk ka vetëm varfëri e çështje të pazgjidhura. Benedikti XVI lavdëroi faktin se në këtë vend, të sëmurët nga Sida kurohen falas, përmendi për këtë impenjimin e Kishës përmes qendrës “Kardinal Léger”. Pastaj, aspekti tjetër i punës së katolikëve, ai edukativ, me impenjimin e mësuesve dhe edukatorëve të Universitetit Katolik të Afrikës Qendrore, një shenjë e madhe shprese për të ardhmen e rajonit. Është për këtë arësye, që Kameruni është tokë shprese për shumë persona në Afrikën Qendrore, të cilët emigrojnë në këtë vend:
“Është tokë jete, me një qeveri që flet qartë në mbrojtje të të drejtave të të palindurve. Është tokë paqeje: duke zgjidhur përmes dialogut problemin e gadishullit Bakasi, Kameruni dhe Nigeria i treguan botës se diplomacia e durueshme sjell fryte. Është tokë të rinjsh, e bekuar nga një popullsi e re plot gjallëri dhe me padurim për të ndërtuar një botë më të drejtë e më paqësore. Me të drejtë përshkruhet si “Afrika në miniaturë”, atdhe i mëse 200 grupeve të ndryshme etnike, që jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Janë këto, arësye për t’i thurur lavde e për ta falenderuar Hyjin”.
“Zoti bekoftë Kamerunin e Afrikën” qenë fjalët e fundit të fjalimit të mirëseardhjes, që Papa u drejtoi të pranishmëve në aeroportin e Jaundesë, për të shkuar më pas në Nunciaturën Apostolike. Nesër, aktivitete të rëndësishme e presin Benediktin XVI: takimet me presidentin e republikës e me ipeshkvijtë e Kamerunit, si edhe kremtimi i Lutjeve Mbrëmësore në praninë e përfaqësuesve të besimeve të tjera të krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.