2009-03-16 18:11:54

Papa do të shpallë në qershor një Vit të veçantë Meshtarak: presbiteri të jetë dëshmitar “i dukshëm” i Krishtit.


(16.03.2009 RV)RealAudioMP3 Do të fillojë më 19 qershor të këtij viti për të përfunduar në të njëjtën datë në vitin 2010 “Viti meshtarak”, i cili do të nënvizojë se çdo meshtar duhet të priret drejt “përsosurisë shpirtërore”, nëse dëshiron që misioni i tij të ketë sukses. Kështu tha sot paradite Papa Benedikti XVI, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Asamblesë së përgjithshme të Kongregatës për Klerin. Është e rëndësishme, pohoi Ati i Shenjtë, që meshtari të jetë i formuar sipas mësimeve konciliare e të japë gjithnjë një dëshmi të dukshme, si përsa i përket moralit, ashtu edhe përsa i përket pamjes së jashtme.
E Papa përmendi tri shtylla, ku mbështetet jeta e meshtarit: të shenjtërojë, të mësojë, të udhëheqë. Janë tri vlera dhuratë, drejt të cilave duhet të priret meshtari për të ndjekur shembullin e Jezu Krishtit e të Apostujve:
“Pikërisht për të favorizuar këtë prirje të meshtarëve drejt përsosurisë shpirtërore, nga e cila varet sidomos suksesi i ministerit të tyre, vendosa të shpall një Vit të veçantë Meshtarak, i cili do të nisë më 19 qershorin e ardhshëm deri më 19 qershor 2010. Bie në fakt, 150-vjetori i vdekjes së Famullitarit të Shenjtë të Arsit, Gjovani Maria Vianej, shembull i vërtetë i Bariut në shërbim të grigjës së Krishtit”.
Tradita kishtare dymijë vjeçare, shpjegoi Benedikti XVI, e ka shkëputur efikasitetin sakramentor të meshtarit nga gjendja e tij ekzistenciale, por formimi i përhershëm mbetet përparësi e madhe e delikate, për të cilin ipeshkvijtë luajnë një rol shumë të rëndësishëm. E pikërisht atyre, Papa u tha:
“Është e rëndësishme të favorizohet ndër meshtarë, sidomos në brezat e rinj, kuptimi i drejtë i teksteve të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, të interpretuara në dritën e krejt bagazhit doktrinal të Kishës. Është urgjente edhe riformimi i asaj vetëdije, që i shtyn meshtarët të jenë të pranishëm, të identifikueshëm dhe të dukshëm si për fenë e tyre, ashtu edhe për virtytet personale e për veshjen, në kuadrin e kulturës e të dashurisë, gjithnjë në qendër të misionit të Kishës”.
Ndryshimet e mëdha të dhjetëvjeçarëve të fundit dhe përvoja e fituar, vazhdoi Ati i Shenjtë, kërkojnë përdorimin e “energjive më të mira kishtare” për kujdesin ndaj kandidatëve për meshtarë:
“Në këtë kuptim, është e nevojshme të vigjëlojmë, në mënyrë që “strukturat e reja” apo organizatat baritore të mos mendohen për një kohë, në të cilën mund të jetohet pa ministerin e shuguruar, duke u nisur nga një interpretim i gabuar i rolit të laikëve, sepse në atë rast, do të krijoheshin premisat për zbehjen e mëtejshme të rolit të meshtarit dhe, “zgjidhjet” eventuale do të përkonin dramatikisht me shkaqet reale të problematikave bashkëkohore të lidhura me ministerin”.
Benedikti XVI kujtoi katër aspektet e misionit meshtarak. Ai, tha Ati i Shenjtë, është “kishtar”, pasi “askush nuk shpall vetveten”, por Zotin. Është “me natyrë bashkësie”, pasi zhvillohet “në unitet e në bashkim”. E së fundi, misioni i meshtarit është “hierarkik” e “doktrinal”, aspekte këto, që nënvizojnë rëndësinë e disiplinës kishtare e të formimit të vazhdueshëm doktrinor, jo vetëm teologjik.
Siç informon një notë e Selisë së Shenjtë, viti kushtuar meshtarëve do të ketë si temë: “Besnikëria e Krishtit, besnikëri e meshtarit”. Benedikti XVI do ta hapë atë më 19 qershor, me kremtimin e Lutjes Mbrëmësore, në solemnitetin e Zemrës së Shenjtë të Krishtit dhe në Ditën e shenjtërimit të meshtarëve. Lutja do të bëhet para relikeve të Famullitarit të Arsit, që do të sillen në Romë nga ipeshkvi i Belej-Arsit. Po Ati i Shenjtë do ta mbyllë këtë vit të veçantë më 19 qershor 2010, me pjesëmarrjen në “Takimin Botëror Meshtarak” në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Gjatë këtij viti jubilar, Papa do ta shpallë shën Gjovani Maria Vianejin “Pajtor të të gjithë meshtarëve të botës”. Do të botohen gjithashtu, “Direktivat për Rrëfyesit dhe Drejtuesit Shpirtërorë” sëbashku me një përmbledhje tekstesh të Papës mbi temat thelbësore të jetës e të misionit meshtarak në epokën aktuale. Aktivitete të ndryshme gjatë vitit, përfundon nota e Selisë së Shenjtë, do të organizohen nga Kongregata për Klerin, në bashkëpunim me ipeshkvijtë dhe eprorët e Instituteve fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.