2009-03-16 18:12:45

Monsinjor Zef Shestani, në 19-vjetorin e vdekjes.


(16.03.2009 RV)29 qershor 1912 - + 16 mars 1990
RealAudioMP3 Laudetur Iesus Christus! Ju flet Radio -Vatikani në gjuhën shqipe!
Për dyzet vjet me radhë ishte pikërisht ky zë që hapi Programin e gjuhës shqipe pranë Radio-Vatikanit, të cilin edhe e themeloi. Ky zë i fliste, që përtej Adriatikut, atdheut të vet të mbërthyer në tela me gjemba, të izoluar, të martirizuar, të etur për një shpresë, për fjalë të mirë e sidomos të vërtetë. E ky zë, përmes valëve të radios, u përcillte bashkatdhetarëve, Lajmin e mirë, u tregonte Rrugën, u çonte Jetën, u kumtonte të Vërtetën, u kujtonte se Krishti i munduar, i kryqëzuar, i vdekur e i varrosur, ngjallet në të tretën ditë. Është zëri i Dom Zef Shestanit, të cilit po i pëkujtojmë sot në 19-vjetorin e vdekjes.
Dom Zefi lindi në Shkodër më 29 qershor 1912, njëherësh me Shqipërinë e Pavarur. U rrit në prehërin e prindërve të përshpirtshëm, të cilët, sapo kishte mbushur moshën shkollore, vendosën ta regjistrojnë në Kolegjin Saverian të qytetit, një nga shkollat më të mira të kohës. Në Kolegjë Zoti e thirri për jetën meshtarake, E ai nuk ngurroi t'ia dhuronte plotësisht vetveten. Si kreu me sukses mësimet në vendlindje, të parët menduan ta çojnë për të vijuar studimet e larta. Për këtë zgjodhi Padovën, ku kishim mësuar sa e sa shqiptarë të tjerë para tij, e ku do të mësonin edhe të tjerë pas tij.Ishte viti 1935. Shqipëria bënte përpjekje për të hyrë përfundimisht në një rrugë të re zhvillimi. Kishte shumë nevojë për njerëz të mësuar. Ashtu si kishte nevojë edhe Kisha për meshtarë që bashkonin në një përshpirtërinë, kulturën e atdhedashjen. Prandaj pothuajse të gjithë shqiptarët që kryenin studimet jashtë shtetit, ktheheshin menjëherë në atdhe, duke marrë me vete Evropën e mësuar për t'ia çuar si dhuratë Atdheut. Asokohe kështu mendohej hyrja në Evropë.
U kthye meshtar në Shqipëri e u emërua zëvendës-famullitar i Shkodrës me seli në kishën e Shën Kollit në Rus, bërë rrafsh me tokë në vitet e diktaturës. Aty e tha Meshën e parë më 1 janar 1936. Kujtojmë se në atë kohë famullitar ishte Dom Mikel Koliqi. Filluan për të 3 vjet veprimtarie të pareshtur. Qe meshtar që u mor shumë me të rinjtë, me muzikën, me publicitikën. Nisi t'i hapte baritorisë së Kishës horizonte të reja, gjithnjë me frymën tradicionale: "Për Fé e Atdhé". Në murin e qelës së famullisë së tij, kishte vendosur një sentencë, që do të bëhej lajtmotiv jete: "Dulcem et decorum est pro patria mori" - "Eshtë gjë e ëmbël dhe e bukur të vdesësh për Atdhé". Një lajtmotiv i tillë e shtyu t'i kundërvihej pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 1939 e komunizmit të pafé të paatdhé, më 1944, pak kohë para se të binte Shkodra. Duke e ditur mirë ç'e priste, pa shkelur endè komunistët në qytetin e braktisur nga gjermanët, kaloi kufirin shqiptar mbi një varkë e, nëpërmjet Bunës arriti në Ulqin. Që aty, ia doli mbanësh të kalonte në Itali, ku rifilloi menjëherë edhe më me zell punën në shërbim të idelaleve, të cilave u kishte kushtuar jetën.
Në sa shërbente si famullitar në rrethinat e Romës, Selia e Shenjtë e ngarkoi me detyrën të themelonte Programin e ri të Radio-Vatikanit në gjuhën shqipe. Nuk ishte e lehtë: bashkëpunëtorët në mërgim ishin të paktë; lidhja me besimtarët në atdhé - e pamundur, çdo fjalë që thuhej para mikrofonit, mund të krijonte rreziqe të paparashikuara përtej perdes së hekurt. Gjithsesi ai, që s'ishte trembur nga situata më të vështira, pranoi. Bashkëpunuan ngushtë me të Zef Pali, me të cilin njihej mirë që në Shqipëri, Andrea Shuli, Gjon Gjomarkaj e murgesha e parë engjëllore shqiptare, motër Luçia Laca. Bashkëpunëtori kryesor i jashtëm ishte françeskani shqiptar në mërgim, Atë Daniel Gjeçaj. Programi i parë i Radio-Vatikanit në gjuhën shqipe filloi më 3 tetor 1951 me një Udhë Kryqi- që simbolizonte atë udhë në të cilën po ecnin besimtarët katolikë e mbarë populli shqiptar.
Dom Zefi qe edhe muzikant i talentuar. La shumë këngë, që këndohen edhe sot e kësaj dite, nga të cilat po kujtojmë "Besa-besë" dhe "Karajfil në kodër"; kompozoi melodramën e Zef Palit "Te kështjelli i bardhë" e shumë pjesë të tjera, me tekst të shkruar nga ai vetë, sepse Dom Zefi kishte edhe dhanti të spikatura poetike. Nga poezitë e tij më të ndjera, është ajo me titull "Tem vëlla", kushtuar të vëllait, Paulinit, shkruar pasi e mori vesh se e kishin pushkatuar komunistët.
Si publicist, themeloi "Revistën e shqiptarëve në mërgim", përmes së cilës denoncoi para opinionit botëror krimet e regjimit komunist në Shqipëri. Koleksioni plotë i kësaj reviste, pak e aspak të njohur në Shqipëri, gjindet në fondin Atë Gjeçaj të bibliotekës françeskane në Shkodër.
Vdiq në Romë më 16 mars 1990. Salikimet e tij u kremtuan më 17 mars në kishën e Shën Marisë së Traspontinës, dy hapa larg Radio-Vatikanit, ku kishte kaluar pjesën më të mirë të jetës, duke lënë një trashëgimi të pasur feje atdhetarizmi, kulture. Eshtë një nga shqiptarët e mëdhenj që nuk gjejnë prehje në dheun e huaj: askush, deri më sot, nuk është kujtuar ta mbartë trupin e tij, për të pushuar në paqe në atë Atdhe, që aq shumë e desh, që i mungoi gjithë jetën, që nuk duhet ta dëshirojë edhe për së vdekuri. Duke shfletuar arkivin tonë, zgjodhëm për 19-vjetorin e vdekjes së tij një porosi tepër aktuale: lutuni e punoni:







All the contents on this site are copyrighted ©.