2009-03-16 18:35:40

Angola


(16.03.2009 RV)Ish-koloni e provincë e Përtejdetit e Portugalisë (1951), Angola fitoi pavarësinë më 11 nëntor 1975, në një situatë lufte të ashpër civile ndërmjet Lëvizjes Popullore për Çlirimin e Angolës (MPLA, marksiste) dhe Bashkimit për Pavarësinë e Plotë të Angolës (UNITA, filo-perëndimore dhe e lidhur me Afrikën e Jugut). MPLA-ja, e udhëhequr nga Agostinjo Neto, mori në dorë udhëheqjen e qeverisë e UNITA filloi një guerrilje të gjatë, që u duk sikur përfundoi me marrëveshjen e Lisbonës (31 maj 1991). Por, pas zgjedhjeve të vitit 1992, fituar nga MPLA, UNITA mori sërish në dorë armët. Në muajt e parë të vitit 2002, pas vdekjes së kreut të organizatës, Jonas Savimbi (22 shkurt), UNITA pranoi armëpushimin e propozuar nga qeveria, e cila garantoi amnistinë, duke i hapur rrugën procesit të pajtimit kombëtar.
Angola është republikë presidenciale. Sipas Kushtetutës, parlamenti me një dhomë përbëhet nga 220 anëtarë të zgjedhur për 4 vjet; Presidenti i Republikës zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ka një mandat 5-vjeçar. Dënimi me vdekje është hequr në vitin 1992.
Vendi është anëtar i OKB-së, OPEC-ut, Bashkësisë së Zhvillimit të Afrikës së Jugut, Bashkimit Afrikan, Organizatës Botërore të Tregtisë e është i lidhur me Bashkimin Evropian.
Kufizohet me Republikën Demokratike të Kongos, me Zambien dhe Namibinë; laget nga Oqeani Atlantik me një bregdet që zgjatet deri në 1600 km. Ekziston një enklavë angolane (provinca e Kabindës) ndërmjet Republikës Demokratike të Kongos e Kongos, provincë e pasur me naftë. Burimet kryesore minerare janë diamanti, nafta (50% e PBB-së) dhe hekuri.
Kryeqyteti i Angolës është Luanda me 2.766.000 banorë. Gjuha zyrtare është ajo portugeze, por vendasit flasin edhe gjuhën bantù e khoisan. Sipërfaqja e këtij vendi arrin në 1.246.700 km katror, në të cilën jeton një popullsi prej 15.473.00 banorësh. Më shumë se gjysma jeton në qytet, me një dendësi prej 12,4 banorësh për km katror. Monedha që përdoret në vend quhet kuanza. Çdo banori të Angolës i takon mesatarisht 2.758 dollarë në vit nga Prodhimi i Brendshëm Brut.
Feja e angolanëve është kryesisht katolike (55,6%), pastaj protestante (14,7%), ka të krishterë të tjerë (4,3%) e besime jo të krishtera (30,3%).








All the contents on this site are copyrighted ©.