2009-03-16 18:11:35

Afrika - gati për të pritur Papën


(16.03.2009 RV)RealAudioMP3 Afrika është gati për të pritur Papën. Nesër Benedikti XVI do të jetë në Kamerun; të premten do të transferohet në Angolë, për ta përfunduar më 23 mars vizitën në Kontinent. Në Jaunde, kryeqytet i Kamerunit, shpeshtohen takimet e lutjes, prelud i përqafimit që Kisha vendase, e jo vetëm ajo, është gati t’i japë Papës. Për atmosferën e pritjes flet, në mikrofonin e Radios sonë, nunci apostolik në Kamerun, kryeipeshkvi Elizeo Antonio Ariotti:

Përgjigje: - Ishte sidomos përgatitje shpirtërore, por edhe kulturore. Shpirtërisht, në të gjitha dioqezat u organizuan shumë takime lutjesh, shumë nëntëditëshe, siç e kanë zakon besimtarët e kësaj Kishe plot fe. Në këndvështrimin kulturor, Universiteti katolik i Afrikës Qendrore dhe Instituti Katolik i Teologjisë, organizuan një takim për ta bërë të njohur sa më gjërësisht figurën e Benediktit XVI. Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore i kanë arritur kërkesa të shumta për meshën, që do të kremtohet të enjten, më 19 mars, në festën e Shën Jozefit. Po bëhen të gjitha përpjekjet për t’i kënaqur të gjithë ata, që nuk duan të mungojnë në një takim kaq të jashtëzakonshëm.

Pyetje: - Ç’mund të themi sot për Kamerunin, një nga vendet që ndoshta e përfaqëson më mirë mbarë Afrikën?

Përgjigje: - Në Kamerun kemi një strukturë si etnike, ashtu edhe kulturore e politike, që, në një farë mënyre, përfaqëson nga pak gjithë mjedisin afrikan, mbarë Kontinentin. Vizita e Atit të Shenjtë është një çast, në të cilin Afrika nuk mjaftohet t’i bëjë vetes pyetje, por përpiqet edhe të impenjohet për të vënë në jetë vlerat që dëshmon Ati i Shenjtë në mbarë botën. Kameruni dëshiron të japë shembull, të jetë vend i drejtësisë, vend i paqes, i mikpritjes, vend në të cilin mund të jetohen sa më mirë të jetë e mundur vlerat morale, civile e fetare, pavarësisht nga vështirësitë, që nuk mungojnë.

Pyetje: - Ç’dëshiron t’i thotë Afrika Papës Benedikti XVI, që vjen ta takojë?

Përgjigje: - Mendoj se Afrika dëshiron t’i thotë Atit të Shenjtë se është gati për ungjillëzimin, por ka nevojë akoma për shumë ndihmë. Ka nevojë të ndihmohet për të gjetur fytyrën e vërtetë të Krishtit, fytyrën e vërtetë të Kishës, pastërtinë e jetës së Kishës. Prandaj është e vetëdijshme se është ende e re në marshimin e saj të fesë: e vetëdijshme, por megjithatë dëshiron të japë gjithçka të mirë që ka në vetvete, si përmes impenjimit të besimtarëve, të laikatit, ashtu edhe të klerit, sa në mjediset kishtare, ashtu edhe në ato shoqërore.

Zjejnë përgatitjet edhe në Luandë, kryeqytet i Angolës, ku Benedikti XVI do të takohet me popullsinë e një vendi, i cili vetëm prej pak vjetësh ka arritur një farë stabiliteti të brendshëm, pas gjakut e morteve të shkaktuara nga një luftë e gjatë civile. Kryeipeshkvi Gjovani Anxhelo Beçiu, nunc apostolik në vend, rikujton, në mikrofonin tonë, zhvillimet e situatës në Angolë, ndërmjet vizitës së Papës Gjon Pali II, në qershor të vitit 1992, e shtegtimit të afërm të Benediktit XVI:

Përgjigje: - Kur pati ardhur Gjon Pali II, qe një periudhë krejt e veçantë. Do të thosha se vizita e tij ishte një shkëndijë shprese, sepse sapo ishte arritur paqja e britma e tij ishte: “Kurrë më luftë!”. Fatkeqësisht kjo thirrje nuk u dëgjua në masën e duhur e vendi ra në një greminë të tmerrshme, edhe më të tmerrshme se në fazën e parë, prandaj them se qe çast shprese, por që zgjati pak. Tani, shtatë vjet pasi është nënshkruar paqja, njerëzit po shijojnë frytet e saj. Kështu edhe Kisha, sepse u hapën shumë misione e nisi faza e rindërtimit. E prandaj mendoj se ky është një nga çastet më të përshtatshme, që Kisha angolane, e persekutuar deri në kockë, e zhveshur nga të gjitha pronat, nuk e ka pasur ndonjëherë. Është kjo arsyeja që Kisha nuk pati mundësi të tregojë ç’është në gjendje të bëjë. Tani është një çast i përshtatshëm, sepse tani mund t’i tregojë të gjithëve kush është Kisha e Angolës.

 
Pyetje: - Cilat janë sfidat më të mëdha që duhet të përballojë Kisha angolane?

Përgjigje: - Para së gjithash, sfida është ajo e zgjerimit të veprimtarisë së saj, sepse ka zona, sidomos në lindje të vendit, ku nuk ka arritur akoma lajmi ungjillor. Sfida të tjera, sidomos në kryeqytet e në qytetet e mëdha, janë përballimi i hedonizmit, i konsumizmit, i relativizmit moral – të këqija që bota perëndimore i njeh mirë e që tashmë kanë arritur deri këtu. Afrika nuk është larg problemeve moderne.

Pyetje: - Ç’presin njerëzit e thjeshtë nga fjalët e Papës?

Përgjigje: - Ata shikojnë njeriun e Zotit. “Seremos abençoados”- thonë - “Do të na bekojë”. E dinë se ky njeri sjell me vete bekimin. Kjo u mjafton, por është e qartë se Papa do të flasë fjalë shprese, inkurajimi, që do t’i përforcojnë njerëzit në fe. Kisha do të përfitojë shumë shpirtërisht e moralisht nga vizita e Papës. Është çast hiri të veçantë. Të gjithë gëzohen. Në të gjitha fytyrat lexohet paqe e entuziazëm. Gjithçka është në dobi të Kishës e të vendit!







All the contents on this site are copyrighted ©.